Dënimi i Hagës/ Protesta edhe në SHBA, prefekti Shkëlqim Hajdari nga Times Square: Liri për çlirimtarët!

17/09/2026 16:29

Pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë nga Dhomat e Specializuara në Hagë, ku ish-krerët e UÇK-së u dënuan me 81 vite burgim në total, zëri i shqiptarëve ka kumbuar fuqishëm edhe përtej oqeanit.

Në zemër të Nju Jorkut, në Times Square, shqiptarwt u mblodhwn mbrëmë në një protestë madhështore për të dëshmuar se padrejtësitë nuk mund të zbehin historinë dhe pastërtinë e luftës çlirimtare. Përmes fotove nga kjo mbështetje masive, prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari, ka postuar nw rrjetet sociale.

Hajdari thekson se diaspora shqiptare u mblodh mbrëmë në Times Square si një trup i vetëm për të mbështetur ish-krerët e UÇK-së, të cilët ai i konsideron të dënuar padrejtësisht.

Ai thekson se pavarësisht trevave se nga vijnë, shqiptarët i bashkon Kosova, historia dhe respekti i ndërsjellë për ata që sakrifikuan për lirinë e saj. Në fund, ai përcjell mesazhin e fortë se diaspora nuk i harron çlirimtarët dhe do të qëndrojë gjithmonë bashkë nën thirrjen për liri, drejtësi dhe dinjitet.

“Në Manhattan, në Times Square!

TË GJITHË BASHKË, PËR NJË QËLLIM — LIRI PËR ÇLIRIMTARËT!

Mbrëmë, diaspora shqiptare u mblodh si një trup i vetëm, me një zë dhe me një qëllim: të qëndrojmë pranë vëllezërve tanë, ish-krerëve të UÇK-së, të cilët ne besojmë se janë dënuar padrejtësisht.

Pavarësisht se nga cila trevë shqiptare vijmë, sot na bashkon Kosova, na bashkon historia jonë dhe respekti për ata që luftuan dhe sakrifikuan për lirinë e saj.

Nga Amerika e kudo në diasporë, mesazhi ynë është i qartë: nuk i harrojmë çlirimtarët tanë dhe nuk harrojmë sakrificën e popullit të Kosovës.

Së bashku kemi qenë në ditët më të vështira dhe së bashku do të vazhdojmë të qëndrojmë edhe sot — si vëllezër e motra, si një diasporë dhe si një komb.

LIRI, DREJTËSI, DINJITET!

Së bashku për vëllezërit tanë. Së bashku për çlirimtarët”, shkruan Hajdari.

Top Channel