Vendimi i Hagës ngre peshë Prishtinën, protestë me thirrje “UÇK”, Time Kadriaj për Top Story: Do votoj për zhbërjen e ‘Speciales’

17/09/2026 22:46

Prej orës 21:00, në Prishtinë po zhvillohen protestat për kundërshtimin e Gjykatës Speciale për 4 komandantët e UÇK-së, të cilët u dënuan me 81 vite burg.

Turma është drejtuar drejt objektit të qeverisë, me thirrjen e emrave të çlirimtarëve që u dënuan dje për krime lufte, siç raporton gazetarja e Top Channel, Leonita Barjamaj, në një lidhje me Top Story.

Thirrjet janë edhe kundër kryeministrit të Kosovës. Ndërkohë, në një intervistë direkte, deputetja Time Kadriaj tha se do të votojë për zhbërjen e kësaj gjykate, që sipas saj ka dhënë vendim politik.

“Është marre kjo çfarë ka ndodhur, njerëzit i kanë besuar drejtësisë ndërkombëtare, për proces demokratik dhe jo politik. Ata kanë bërë proces politik. UÇK-ja ka bërë luftë të drejtë, nuk është dashur as të ndërtohet një gjykatë e tillë. Tani të barazohemi me ata që kanë bërë krime, që kanë vrarë, ne kemi qëndruar në vendin tonë, në tokën tonë ku do të vdesim dhe e kemi mbrojtur me gjak.

Të ndëshkohemi në këtë formë nga një gjykatë politike, kjo është nonsens. Ka qenë tmerr, ka qenë denigruese, nuk mund ta përshkruaj ditën e djeshme. Të gjithë kanë qarë, po vazhdojnë të protestojnë dhe nuk do të ndalen. Sot në Kuvendin e Shqipërisë është mbajtur një seancë e posaçme për këtë rast, ndërsa në Kosovë jo.

Do të votoj për shpërbërjen e kësaj gjykate”, tha ajo.

Top Channel