Televizioni shtetëror rus ndërpret fjalimin e Putinit

18/03/2022 15:41
Presidenti rus Vladimir Putin ka mbajtur sot një fjalim në një stadium të mbushur me mijëra njerëz

Televizioni shtetëror rus ka ndërprerë papritur fjalimin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, teksa ai i është drejtuar audiencës në Stadiumin Luzhniki në Moskë.

Ende nuk dihet pse ka ndodhur diçka e tillë.

Ai e ka mbajtur këtë fjalim për të shënuar përvjetorin e tetë të aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë.

Aneksimi i Krimesë është dënuar nga Perëndimi dhe Ukraina, prandaj edhe nuk e njohin si territor rus.

Fjalimi i Putinit është ndërprerë papritur dhe televizioni ka shfaqur disa këngë që janë kënduar në stadium.

Një pjesëmarrës i koncertit ka thënë se Putin e ka përfunduar fjalimin dhe e ka lënë skenën.

Rusia ka dërguar dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë më 24 shkurt, me qëllim të degradimit të kapaciteteve ushtarake të Ukrainës dhe të çrrënjosjes së njerëzve që i ka quajtur nacionalistë të rrezikshëm.

Forcat ukrainase janë përgjigjur me rezistencë të ashpër ndaj luftës.

Perëndimi ka vendosur sanksione të pashembullta ndaj Rusisë, me qëllim që kjo e fundit të tërheqë forcat nga Ukraina.

Rusia e konsideron luftën në Ukrainë si “operacion special ushtarak”.

Top Channel