Policia gjeti trupin e pajetë të 3-vjeçarit në liqen, babai i të voglit: Ishte një djalë i ëmbël dhe i pafajshëm

17/09/2026 16:57

Babai i 3-vjeçarit, Noah Woods, që dyshohet se është mbytur në një pellg pasi u largua nga gjyshi i tij, e ka përshkruar atë si ‘djalin më të ëmbël dhe të pafajshëm, që kishte vetëm dashuri për të dhënë’.

I mituri u pa për herë të fundit gjatë pasdites të së martës, kur u largua nga gjyshi në një kënd lojërash për fëmijë nën moshën 5-vjeçare në Merriam Close, Brantham, Suffolk.

Zhdukja e Noah, i cili u drejtua nga një shteg që të çonte drejt një zone pyjore dhe një pellgu të madh, nxiti një operacion të gjerë kërkimi ku u përfshinë qindra vullnetarë, policia, roja bregdetare dhe zjarrfikësit.

Ndërkohë policia e Suffolk-ut konfirmoi dje pasdite se ishte nxjerrë nga zhytësit trupi i një fëmije në pellgun “Decoy Pond”. Sipas oficerëve, fëmija nuk ishte identifikuar ende dhe se vdekja ishte e pashpjegueshme. Gjithashtu shton se nuk paraqiste rrethana të dyshimta.

Por babai i Noah-s, Rhys Woods, konfirmoi sot se djali i tij, i cili nuk fliste, ishte pjesërisht i shurdhër dhe po i nënshtrohej analizave për autizëm, ishte fëmija që u gjet i vdekur.

Përmes një postimi në “Facebook”, ai falënderon njerëzit që iu bashkuan kërkimeve për 3-vjeçarin.

“Siç jam i sigurt se e keni parë të gjithë, trupi i gjetur në ‘Decoy Pond’ i përket Noah-s sonë të vogël. Nuk ka fjalë për të përshkruar dhimbjen e kësaj humbjeje; jemi të gjithë thellësisht të pikëlluar.

Noah ishte një djalë i vogël tejet i ëmbël dhe i pafajshëm, që kishte vetëm dashuri për të dhënë, dhe do të na mungojë jashtëzakonisht shumë”, shkruan Rhys në rrjetet sociale.

Top Channel