Tragjedia me 69 viktima në Spanjë, jep dorëheqjen ministri i Transportit pas përplasjes të trenave
Në gjykatën e Blois në Francë ka nisur gjyqi ndaj prindërve të Inass Touloub, vajzës 4-vjeçare e cila u gjet e vdekur dhe e gjymtuar në një autostradë në vitin 1987.
Ky proces gjyqësor zhvillohet 39 vjet pas ngjarjes, duke shënuar një nga kapitujt më të gjatë të hetimeve të krimeve të pazgjidhura në historinë franceze.
Në bankën e të pandehurve u paraqitën nëna, Halima El Bakhti (72 vjeç), e akuzuar për torturë dhe akte barbare që rezultuan në vdekjen e vajzës, si dhe babai, Ahmed Touloub (74 vjeç), i akuzuar për bashkëpunim. Të dy përballen me dënimin me burgim të përjetshëm.
Gjatë mbërritjes në seancë, dy të pandehurit u shfaqën veçmas. Nëna kishte mbuluar fytyrën me shall, ndërsa babai u ngjit në shkallët e gjykatës me ndihmën e një bastuni. Jashtë ndërtesës, aktivistë të kolektivit Mouv’Enfants vendosën banderola me thirrjen “Drejtësi për Inass” dhe fotografi të të voglës.
Zbulimi i ngjarjes më 1987 dhe kërkimet ndërkombëtare
Zbulimi i trupit daton më 11 gusht 1987, kur punëtorët e autostradës A10 gjetën trupin e gjymtuar të vogëlushes në një hendek pranë Suèvres, midis Orléans dhe Tours. Trupi mbante shenja të shumta dhune, përfshirë djegie dhe kafshime, çka bëri që media ta pagëzonte viktimën si “martirja e vogël e A10”.
Për shkak se askush nuk kishte raportuar zhdukjen e saj, xhandarmëria franceze ndërmori një nga fushatat më të mëdha të kërkimit. U shpërndanë të dhëna dhe përshkrime në mbi 30 shtete. Fotografia e saj u vendos në 65,000 shkolla dhe 30,000 bashki.
Pavarësisht këtyre përpjekjeve, hetimet nuk patën sukses dhe dosja u mbyll dy herë, përkatësisht në vitin 1991 dhe 1997.
Kthesa me testimin e ADN-së dhe zbardhja e dosjes
Zgjidhja e çështjes erdhi në vitin 2018. Gjatë një hetimi tjetër për një çështje përdhunimi, analizimi i ADN-së së vëllait të viktimës rezultoi se kishte përputhshmëri të plotë gjenetike me gjurmët e gjetura në rrobat e 4-vjeçares dhe në batanijen me të cilën ishte mbështjellë. Kjo u mundësoi hetuesve të identifikonin viktimën si Inass Touloub dhe të arrestonin prindërit e saj në qershor të atij viti.
Gjatë marrjes në pyetje, prindërit mohuan përgjegjësinë për dhunën fatale duke akuzuar njëri-tjetrin. Procesi gjyqësor u shty për disa vite me radhë për shkak të rekursit ligjor, derisa në shtator 2024 Gjykata e Kasacionit i hap rrugën përfundimisht gjykimit.
Raphael Pilleboue, ish-kryetar i bashkisë Suèvres — ku vogëlushja prehet dhe banorët vendosin rregullisht lule mbi varrin e saj — u shpreh lidhur me nisjen e gjyqit:
“Më në fund! Kjo është dita e madhe e një gjyqi që e kemi pritur kaq gjatë. Ka ardhur koha për të sjellë drejtësi për këtë vajzë të vogël që ka vuajtur kaq shumë.”
Gjyqi në Blois është parashikuar të vijojë deri më 18 nëntor.
Top Channel