Policia gjeti trupin e pajetë të 3-vjeçarit në liqen, babai i të voglit: Ishte një djalë i ëmbël dhe i pafajshëm
Një çift u ndëshkua me nga 100 goditje me shkop për shkak të tradhtisë bashkëshortore, në bazë të ligjeve të rrepta të Sheriatit në një provincë indoneziane.
“Daily Mail” shkruan se ndëshkimi me shkop, i kryer ditën e enjte në Banda Aceh, ishte aq i rëndë saqë gruaja u lut për mëshirë para se të shembej përtokë nga dhimbja.
Çifteve të pamartuara u ndalohet të kryejnë marrëdhënie seksuale sipas ligjeve të rrepta në rajonin e Aceh-ut, i cili është i vetmi vend në Indonezi me shumicë myslimane që zbaton ligjin e Sheriatit.
Ndëshkimi me goditje me shkop përdoret për një sërë shkeljesh, përfshirë bixhozin, konsumimin e alkoolit, aktet homoseksuale dhe kryerjen e marrëdhënieve seksuale jashtë martesës.

Pamjet nga ndëshkimi publik i sotëm tregojnë gruan që vuan dhe ngre dorën lart në mënyrë lutje për mëshirë, teksa merrte goditje me shkop në shpinë.
Më pas, fotot e tjera e tregojnë atë duke u ndihmuar të ngrihej nga toka pasi ishte rrëzuar në gjunjë. Gjithashtu janë publikuar edhe imazhet e partnerit të saj, i cili reagonte me dhimbje ndërsa goditej.
Sipas burimeve lokale të lajmeve AJNN, ndëshkimi me kamxhik ndaj burrit ishte ndërprerë përkohësisht pas 60 goditjeve, për shkak të shqetësimeve për gjendjen e tij shëndetësore.

Shefi i Seksionit të Krimeve të Përgjithshme në Zyrën e Prokurorit të Qarkut Banda Aceh, Darma Mustika, deklaroi: “Ndoshta shëndeti i tij ishte paksa i dobësuar, ose thjesht nuk e përballonte dot goditjen me kamxhik. Kështu që e ndaluam fillimisht për t’i dhënë mundësi të pushonte”.
Më pas, ndëshkimi vazhdoi derisa burri mori gjithsej 100 goditje me kamxhik.
Çifti ishte pjesë e një grupi prej 10 personash që u ndëshkuan me kamxhik të enjten. Tetë të dënuarit e tjerë, burra dhe gra, u dënuan me 16 deri në 21 goditje, pasi u shpallën fajtorë për përzierje mes gjinive në një festë ditëlindjeje.
Natyra publike e ndëshkimeve me kamxhik në Aceh synon të shkaktojë turp, si dhe dhimbje fizike, te personat që kanë shkelur ligjin e Sheriatit.
Këto ndëshkime shpesh kryhen jashtë xhamive ose në sheshe publike, ndërsa turma njerëzish i ndjekin dhe i dokumentojnë ato me telefonat e tyre celularë.
Top Channel