Nis Hetimi i OSBE-së për shkeljet e të drejtave të njeriut në luftën e Ukrainës

18/03/2022 19:07

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka nisur hetimet për abuzimet me të drejtat e njeriut dhe mizoritë e kryera në luftën e Rusisë në Ukrainë.

Misioni i gjetjes së fakteve, i cili vjen pasi 45 vende thirrën një mekanizëm të rrallë të OSBE-së që përdoret për të hetuar abuzimet me të drejtat e njeriut, drejtohet nga tre ekspertë të zgjedhur nga Ukraina

“Misioni tashmë ka filluar dhe ekspertët kanë filluar punën e tyre”,  tha Katya Andrusz, zëdhënëse e Zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR). “Ky proces do të zgjasë rreth tre javë, pas së cilës Ukraina do të ketë mundësinë të komentojë mbi raportin përpara se të finalizohet.”

Ndërkohë një adresë  e-mail është hapur për të gjithë  njerëzit që të dërgojnë informacione të rëndësishme për të mbledhur fakte. Andrusz tha se deri më tani kanë marrë shumë informacione nga një shumëllojshmëri burimesh dhe do të jetë e hapur për tërë hetimin.

OSBE-ja nuk ka autoritetin të ndëshkojë ligjërisht Rusinë nëse gjen prova të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit, por faktet e tyre mund t’u jepen organeve të tjera që e kanë atë autoritet.

Mekanizmi i Moskës është një hap serioz dhe sipas OSBE-së, ai është aktivizuar vetëm nëntë herë të tjera që nga themelimi i tij në 1991. Së fundmi është përdorur në vitin 2020 për të hetuar shkeljet e të drejtave të njeriut në Bjellorusi. Rusia, Ukraina dhe Bjellorusia janë të gjitha anëtarë të OSBE-së.

Top Channel