Erdogan për anëtarësimin e Turqisë në BE: Nuk është më prioriteti ynë, ata do të humbasin, jo ne

17/09/2026 16:03

Perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Evropian nuk është më ndër prioritetet kryesore të Turqisë, megjithëse Ankaraja nuk e përjashton mundësinë e anëtarësimit në të ardhmen.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e bëri këtë deklaratë gjatë një interviste për Al Jazeera, ku foli për marrëdhëniet e gjata mes Turqisë dhe Bashkimit Evropian dhe procesin e anëtarësimit të vendit në BE.

Erdogan tha se Turqia ka pritur për 53 vjet që të integrohet në Bashkimin Evropian, duke kritikuar qëndrimin e Brukselit ndaj Ankarasë.

“Evropa nuk e ka integruar Turqinë për 53 vjet dhe nuk planifikon ta bëjë këtë që tani e tutje. Ne nuk e mbyllëm derën”, tha presidenti turk.

Duke folur për të ardhmen e procesit të anëtarësimit, Erdogan u shpreh se Ankaraja nuk po ushtron më të njëjtin presion për t’u pranuar në BE.

“Ne po mendojmë të bashkohemi me Bashkimin Evropian. Nëse na pranojnë, kjo është në rregull, nëse nuk na pranojnë, kjo është gjithashtu në rregull”, deklaroi ai.

Presidenti turk theksoi se anëtarësimi në BE nuk është më në krye të axhendës së Ankarasë, duke i dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë Brukselit.

“Prioriteti ynë nuk është Bashkimi Evropian. Ne vazhdimisht u themi atyre se ata do të jenë ata që do të humbasin, jo Turqia”, tha Erdogan.

Top Channel