Nga Endi Tufa

Dy eliminime në transfertë, të dyja pas 90 minutave, por një bilanc që vlen shumë më tepër se zhgënjimi i momentit. Dinamo dhe Egnatia e mbyllën aventurën europiane me dhimbjen e eliminimit, por edhe me një mesazh të qartë: futbolli shqiptar nuk shkon më në Europë vetëm për të mbijetuar. Shkon për të konkurruar, për të vënë kundërshtarin në vështirësi dhe për ta çuar atë deri në limit.

Dinamo tregoi kufiri fizik, jo dështimi taktik

Të shkosh deri në play-off dhe të eliminohesh vetëm në kohën shtesë nga Pafos, në një transfertë kaq të vështirë, nuk është një histori dështimi. Është tregues i karakterit që kjo skuadër ka ndërtuar.

Humbja e djeshme duhet lexuar më shumë si një kufi fizik i organikës, sesa si një dështim taktik. Kur një ndeshje shkon përtej minutës së 90-të, në një fushë të huaj dhe nën presion të madh, diferencën e bëjnë shpesh freskia, alternativat e stolit dhe cilësia e organikës. Pikërisht këtu klubet me buxhete më të mëdha kanë ende avantazh ndaj nesh. Por Dinamo kthehet nga Qipro jo si një skuadër e mundur, por si një ekip që ka fituar respekt dhe ka vendosur një standard të ri për veten.

Egnatia, eliminimi që nuk mund të quhet humbje

Edhe humbja e Egnatias në play-off-in e Europa League nuk duhet parë si një mundësi e humbur. Përkundrazi, është pjesë e një procesi rritjeje që ky klub e ka nisur prej disa vitesh. Të përballesh me një kundërshtar nordik në transfertë, ta mbash ndeshjen të hapur dhe të dorëzohesh vetëm pas shtesës tregon edhe një herë të njëjtin kufizim: lodhjen fizike dhe mungesën e thellësisë që kërkojnë këto maratona europiane. Por përtej eliminimit, Egnatia ka fituar diçka shumë më të madhe.  Pjesëmarrja në fazën e ligës të Conference League është lajmi i madh.

Egnatia ka siguruar një tjetër moment historik për futbollin shqiptar, duke garantuar të paktën gjashtë ndeshje europiane dhe të ardhura të konsiderueshme financiare. Kjo nuk është një mënyrë për të ngushëlluar veten pas eliminimit. Është një fitore strategjike. Një klub shqiptar po ndërton një eksperiencë europiane që disa vite më parë dukej shumë larg realitetit tonë. Dhe pikërisht këtu qëndron rëndësia e Egnatias: jo vetëm te rezultati i një ndeshjeje, por te modeli që po krijon.

Krenari, por edhe një realitet që nuk duhet fshehur

Ka arsye për krenari. Dinamo dhe Egnatia i çuan kundërshtarët e tyre deri në limit, në dy transferta të vështira. Luajtën me guxim dhe konkurruan si të barabarta në skena ku klubet shqiptare dikur shkonin kryesisht për t’u mbrojtur. Por ka edhe një realitet që nuk mund të anashkalohet. Minutat shtesë na treguan se futbolli shqiptar ende ka nevojë për përmirësim në përgatitjen atletike, në menaxhimin e ngarkesës, në cilësinë e zëvendësimeve dhe mbi të gjitha në thellësinë e organikës. Për të konkurruar rregullisht me elitën europiane, nuk mjafton të kesh 11 lojtarë të mirë. Duhet të kesh një skuadër që mund të përballojë 120 minuta, udhëtimet, ritmin e lartë dhe një sezon të gjatë.

Nuk janë shpëtimtarë, por kanë ndryshuar perceptimin

Dinamo dhe Egnatia nuk janë shpëtimtarët e futbollit shqiptar. Nuk mund të kërkohet prej tyre të korrigjojnë brenda një vere problemet e një sistemi të tërë. Por janë pa dyshim arkitektët e një imazhi të ri. Një imazh më konkurrues, më ambicioz dhe më dinjitoz. Eliminimet dhembin. Por ndonjëherë mënyra se si eliminohesh tregon më shumë për një skuadër sesa mënyra se si fiton. Dhe këtë verë, Dinamo dhe Egnatia na treguan se futbolli shqiptar ka bërë një hap përpara. Tani sfida është që ky hap të mos mbetet rastësi.

Top Channel