Dinamo kërkon fitoren e katërt radhazi ndaj Laçit, Ilir Daja paralajmëron: Të bëjmë kujdes, ata janë të rrezikshëm në tranzicion

18/09/2026 13:36

Dinamo kërkon të vijojë serinë e rezultateve pozitive në kampionat, teksa këtë javë do të përballet me Laçin në “Elbasan Arena”, në kuadër të javës së pestë të Abissnet Superiore.

Blutë vijnë në këtë sfidë me moral të lartë, pas tri fitoreve radhazi në tri ndeshjet e fundit. Paraqitjet dhe rezultatet kanë rikthyer besimin në kampin dinamovit, ndërsa objektivi i skuadrës së Ilir Dajës është të mbyllë këtë seri përpara pauzës së kampionatit me një tjetër rezultat pozitiv.

Përballë do të jetë Laçi, një skuadër që gjithashtu po kalon një moment të mirë dhe ka grumbulluar shtatë pikë.

Në prag të sfidës, trajneri Ilir Daja ka analizuar përballjen me kurbinasit dhe ka paralajmëruar një ndeshje të fortë, ku Dinamo do të tentojë të imponojë lojën e saj.

“Përpara kemi një ndeshje që do të jetë e bukur dhe shumë e luftuar nga të dyja skuadrat, të cilat vijnë nga një moment pozitiv. Ne kërkojmë vazhdimësinë e rezultateve pozitive, duke qenë se vijmë pas tri fitoreve radhazi, ashtu si edhe Laçi, që nuk është mbrapa, duke parë se ka grumbulluar shtatë pikë”, u shpreh Daja.

Trajneri i Dinamos theksoi se skuadra e tij duhet të jetë e kujdesshme sidomos në momentet kur Laçi kalon në tranzicion.

“Do të jetë një ndeshje e luftuar në maksimum. Ne do të kërkojmë të imponojmë lojën tonë, por duhet të kemi gjithashtu kujdes me ekuilibrat në prapavijë, sepse Laçi është një skuadër që del mirë në tranzicion”, deklaroi ai.

Daja foli edhe për situatën e skuadrës dhe problemet fizike që kanë shoqëruar përgatitjet gjatë kësaj jave.

“Këtë javë kemi pasur një proces stërvitor gjatë të cilit nuk e kemi pasur të gjithë grupin në dispozicion, për shkak të disa dëmtimeve dhe shqetësimeve muskulore. Megjithatë, besoj se me kontingjentin tashmë të zgjeruar që kemi në dispozicion do të jemi të kompletuar”, tha trajneri.

Sipas tij, zgjerimi i grupit i jep më shumë alternativa stafit teknik për të menaxhuar gjendjen fizike të lojtarëve dhe për të bërë rotacionin e nevojshëm.

“Një grup më i zgjeruar na jep mundësinë që t’i rikuperojmë siç duhet lojtarët që nuk do të jenë të pranishëm, ashtu siç na krijon mundësinë të bëjmë edhe rotacion për ndonjë lojtar që nuk ka qenë në gjendjen më të mirë fizike.”

Daja shtoi se skuadra ka pasur kohën e nevojshme për ta përgatitur këtë përballje dhe se kërkon maksimalisht tri pikët.

“Kemi pasur të gjithë kohën e nevojshme në dispozicion për ta përgatitur ndeshjen dhe besoj se nesër do ta vlerësojmë siç duhet Laçin, në mënyrë që të vazhdojmë me rezultatet pozitive.”

Në fund, trajneri i Dinamos ka bërë edhe një apel për tifozët, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së tyre nga shkallët e stadiumit.

“Prania e tifozëve i jep tjetër bukuri ndeshjes dhe ne kemi gjithmonë nevojë për ta. Besoj se, me këtë start të kampionatit, tifozët tanë do të jenë të pranishëm për të na mbështetur”, u shpreh Daja.

“Futbolli luhet për tifozët dhe mbështetësit, ndaj ne do të bëjmë më të mirën tonë për t’i kënaqur”, përfundoi trajneri i Dinamos.

Kjo do të jetë edhe ndeshja e fundit e Dinamos përpara pauzës trejavore të kampionatit, e cila vjen për shkak të angazhimeve të ekipeve kombëtare. Blutë synojnë ta mbyllin këtë periudhë me një tjetër fitore dhe të ruajnë ecurinë pozitive të javëve të fundit.

Top Channel