“Unë flas në fushë”/ Harry Kane i përgjigjet deklaratave të forta të Yamal: Nuk e di çfarë qëllimi kishte pas asaj që tha, por…

19/09/2026 09:11

Sulmuesi i Bayern Munich, Harry Kane, ka reaguar ndaj komenteve të Lamine Yamal në lidhje me garën për “Topin e Artë”, ku përmenden edhe yje si Kylian Mbappé dhe Michael Olise.

Kane foli pas fitores së thellë 7-0 të Bayern Munich ndaj Union Berlin në Bundesligë të premten.

“Nuk dua të flas shumë për veten. Unë flas në fushën e lojës. Secili është ndryshe. Lamine Yamal ka pasur një sezon të shkëlqyer, ashtu si edhe Michael Olise. ‘Topi i Artë’ nuk është në dorën time”, deklaroi Kane, në komentet e publikuara nga gazeta spanjolle AS.

“Nuk e di se cili ishte qëllimi pas asaj që tha. Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm. Ka pasur një sezon të madh, ashtu si shumë lojtarë të tjerë. Mbappé, Michael Olise, Rodri… ka shumë kandidatë.”

Kane shtoi se çdo futbollist ka të drejtë të shprehë mendimin e tij dhe se ai nuk dëshiron të përfshihet më shumë në debat.

“Të gjithë kanë të drejtë të shprehin mendimin e tyre në mënyrën që dëshirojnë. Kjo nuk varet nga unë. Për sa më përket mua, po e shijoj shumë gjithçka që po ndodh. Thjesht do të presim dhe të shohim se çfarë do të ndodhë. Unë do të vazhdoj të bëj punën time në fushë dhe më pas do të shohim se si do të përfundojë gjithçka.”

Lamine Yamal kishte deklaruar më herët se numri i golave nuk duhet të jetë kriteri kryesor për përcaktimin e fituesit të “Topit të Artë”.

Në një prononcim për Movistar Plus, ylli i Barcelonës tha: “Mendoj se ‘Topi i Artë’ duhet t’i shkojë lojtarit më të mirë në botë, asgjë më shumë. Jo një lojtari që ka shënuar 80 gola, sepse nëse shënon 80 gola, fiton çmimin e golashënuesit më të mirë të vitit. Janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme dhe njerëzit nuk e kuptojnë këtë.”

Yamal vijoi duke përshkruar se, sipas tij, lojtari më i mirë është ai që të tërheq vëmendjen gjatë një ndeshjeje.

“Lojtari më i mirë në botë është ai që e ndjek gjatë një ndeshjeje si komentator dhe kënaqesh duke e parë. E shikon dhe mendon: ky është një lojtar qartësisht ndryshe nga të tjerët.”

Top Channel