Egnatia kërkon historinë ndaj Lillestrøm, Nevil Dede: Duhej të kishim fituar që në ndeshjen e parë, por nesër…
Sot, më 27 gusht, luhen dy ndeshjet e kthimit të shumëpritura që do të vendosin fatin europian të dy prej skuadrave tona. Tifozët shqiptarë bëhen gati për një mbrëmje drithëruese të Play-off-eve, me sytë e drejtuar nga Qiproja dhe Norvegjia.
Dinamo City përballet me Pafos në një mision deçiziv në Qipro. Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë në Elbasan Arena, ku Fadairo kaloi blutë në avantazh para se qipriotët të barazonin nga pika e bardhë, gjithçka do të vendoset sot. Sfida luhet në Limassol në orën 19:00 dhe është e vlefshme për Play-off-in e Conference League. Kjo përballje deçizive do të transmetohet drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht në platformën DigitAlb.
Në analizën e kësaj sfide, Pafos, një ish-pjesëmarrëse në eliminatoret e Champions League sezonin e kaluar, ka avantazhin e fushës dhe mbetet favorite në letër si një skuadër me buxhet dhe cilësi të lartë. Megjithatë, Nëndetësja ka treguar tashmë një karakter të fortë në Europë, duke kujtuar përmbysjen fantastike 4-0 ndaj Audës.
Paralelisht, po në orën 19:00, vëmendja zhvendoset në Norvegji, ku Egnatia sfidon Lillestrom-in për ëndrrën drejt grupeve të Europa League. Ndeshja e parë në Rrogozhinë u mbyll me rrjeta të paprekura 0-0, duke e lënë kualifikimin tërësisht të hapur. Rrogozhinasit e kanë siguruar tashmë fazën e ligës në Conference League pavarësisht rezultatit të sotëm, por synojnë të bëjnë hapin e madh.
Në ndeshjen e parë Egnatia tregoi se mund ti bëjë keq kundërshtarit, sidomos nëse kujtojmë traversën e Grudës. Përballë një ekipi norvegjez që vuan nga një formë e dobët pas 4 ndeshjeve radhazi pa fitore, ata kanë çdo arsye për të besuar te kualifikimi. Pritet një ndeshje tepër e ekuilibruar dhe e mbyllur taktike, ku edhe një episod i vetëm mund të bëjë diferencën. Duke parë vështirësitë e Lillestrom-it në shtëpi, nuk do të ishte surprizë një fitore e ngushtë dhe historike.
Top Channel