Pa frikë në Rumani! Egnatia synon të ndalë makinerinë e fitoreve të Craiovës
Sonte në mbrëmje, Egnatia do të zbresë në fushën e lojës për ndeshjen e raundit të tretë të Conference League. Skuadra kampione e vendit që është në debutimin absolut të saj në Fazën e Ligës së një kompeticioni të UEFA do të përballet me Universitatea të Craiova ku do të përpiqet të marrë fitoren e parë.
Trajneri Nevil Dede u shfaq në konferencën e zakonshme për shtyp në prag të kësaj ndeshjeje teksa foli për gjendjen e skuadrës së tij përsa i përket çështjes së dëmtimeve.
‘Sa i përket situatës së dëmtimeve, përveç rastit të Eljon Sotës, nuk kemi dëmtime të tjera të rënda në skuadër. Gruda pritet të rikuperohet brenda pak javësh, ndërsa për Bitrin kemi shpresë që ta kemi të gatshëm’-tha Nevil Dede i cili më pas shprehu besimin se skuadra e tij do të bëjë mirë në fushën e lojës
‘Në këtë ndeshje vijmë me besimin e plotë, për objektivat që ne kemi. Sigurisht, me respektin maksimal për kundërshtarin, ka 12 ndeshje pa humbje dhe besoj se janë në momentin më të mirë të tyre, besoj në të gjithë sezonin. Përveç respektit, që e kemi detyrim ndaj tyre, ne duhet të kemi përgjegjësi dhe besim te ajo që ne ndërtojmë dhe tek ajo që ne punojmë bashkë me djemtë’-shtoi Dede-Në letër Craiova është favorite, por letra me fushën ka një diferencë të madhe. Të tregojmë realisht se çfarë nivel kemi, jemi niveli i letrës apo i fushës’.
Në konferencën për shtyp, përkrah Dedes ishte edhe kapiteni Albano Aleksi i cili e bëri të qartë se cili është objektivi i Egnatias në këtë ndeshje
‘Kemi ardhur në Craiova me një objektiv të qartë, të japim maksimumin dhe të përfaqësojmë denjësisht Egnatian. Na pret një ndeshje e bukur, e fortë dhe e luftuar, ku do të japim gjithçka në fushën e lojës. Ndjejmë përgjegjësinë dhe detyrimin për të bërë më të mirën tonë dhe pse jo, të largohemi me fitore-tha Aleksi-këtë ndeshje duam ta luajmë edhe për shokët tanë që nuk mund të jenë me ne në fushë, për Sotën, Grudën dhe Bakayokon. Ne jemi një familje, që qëndrojmë të bashkuar në çdo moment, në të mirat dhe në vështirësitë’.
Top Channel