Zyrtare/ Egnatia mëson kalendarin në Conference League, e nis në shtëpi përballë danezëve dhe e mbyll në Portugali
UEFA ka vendosur të sjellë një risi të veçantë për sezonin 2026/27, duke shënuar në mënyrë simbolike futbollistët që bëjnë debutimin e tyre në Champions League.
Lojtarët që do të zbresin për herë të parë në fushë në kompeticionin më prestigjioz të klubeve në Europë do të mbajnë në mëngën e fanellës një patch të posaçëm me mbishkrimin “DEBUT”. Patch-i do të vendoset në logon “Starball” të Champions League dhe do të përdoret vetëm në ndeshjen e debutimit. Pas takimit, pjesa e veçantë e patch-it do të hiqet nga fanella, do të autentikohet dhe do të shndërrohet në një kartë unike të koleksionueshme, të firmosur nga futbollisti.
Por ideja e UEFA-s sjell menjëherë në vëmendje një tjetër debutim historik për futbollin shqiptar. Egnatia do të bëjë këtë sezon debutimin e saj në fazën e ligës së UEFA Conference League, duke u bërë përfaqësuesja e Shqipërisë në fazën e këtij kompeticioni me 36 skuadra. UEFA e ka konfirmuar Egnatian mes ekipeve të kualifikuara për sezonin 2026/27.
Për klubin nga Rrogozhina, ky është një moment historik, pasi deri tani paraqitjet europiane kishin ardhur vetëm në fazat kualifikuese. Në edicionin e ri, Egnatia do të luajë gjashtë ndeshje në fazën e ligës, ndaj Midtjylland, Aarhus, U. Craiova, Lincoln Red Imps, Kauno Žalgiris dhe Braga. Ndeshja e parë është programuar më 15 tetor, në shtëpi ndaj danezëve të Midtjylland.
Nëse UEFA ka zgjedhur të fiksojë në fanellën e një futbollisti momentin e parë në Champions League me një shenjë të veçantë, Egnatia do të ketë këtë sezon një tjetër lloj “patch-i” simbolik, debutimin e një klubi shqiptar në fazën e ligës së Conference League. Një tjetër faqe historike për futbollin shqiptar në Europë.
Top Channel