Këshilli Federal i FIGC-së, Gianfranco Zola kandidat për një rol në Kombëtaren Italiane
Futbolli italian hap një kapitull të ri, por me një protagonist që tashmë e njeh shumë mirë skenën.
Roberto Mancini është rikthyer në stolin e Kombëtares së Italisë, aty ku shkroi një nga faqet më të bukura të historisë së “Axurrëve”, por edhe përjetoi një nga zhgënjimet më të mëdha.
Vendimi erdhi në një moment të trazuar për federatën italiane, pas tërheqjes së Andrea Pirlos nga gara për stolin dhe largimit të figurave drejtuese si Paolo Maldini e Leonardo. Presidenti i ri i FIGC-së, Giovanni Malagò, zgjodhi eksperiencën dhe sigurinë e një emri që tashmë ka provuar se di të fitojë.
Mancini mposhti në garë një tjetër kandidat të fortë, Antonio Conten, ndërsa Claudio Ranieri pritet të marrë një rol strategjik si drejtor teknik. Për “Mancio”-n nis kështu epoka e dytë në krye të Italisë, me një mision të qartë: të rikthejë identitetin, besimin dhe mentalitetin fitues të një skuadre që kërkon sërish majat.
Nga talenti i Jesit te ikona e Sampdorias, lindja e një lideri
I lindur më 27 nëntor 1964 në Jesi, Roberto Mancini ishte një talent i jashtëzakonshëm që shpërtheu shumë herët. Debutimi i tij në Serie A erdhi me Bolognën, kur ishte vetëm 16 vjeç e 9 muaj, ndërsa sezoni i parë u mbyll me 9 gola dhe një sinjal të qartë: Italia kishte zbuluar një futbollist special.
Por emri i tij do të lidhej përgjithmonë me Sampdorian
Me fanellën e klubit gjenovez ai kaloi 15 sezone, duke u kthyer në simbolin e një epoke të artë. Ishte lideri teknik i skuadrës që shkroi historinë duke fituar Scudetton e parë dhe të vetëm të Sampdorias në sezonin 1990/91.
Në krah të Gianluca Viallit formoi një nga dyshet sulmuese më të famshme të futbollit italian, të pagëzuar si “Binjakët e Golit”.
Bilanci i tij në Sampdoria:
173 gola
1 titull kampion Italie
4 Kupa Italie
1 Kupë Kupash Evropiane
1 Superkupë Italie
Finalist i Kupës së Kampionëve në 1992 ndaj Barcelonës
Lamtumira nga Sampdoria, trofetë me Lazion dhe fundi i karrierës si lojtar
Në vitin 1997, Mancini u transferua te Lazio, ku vazhdoi të ishte protagonist. Me klubin kryeqytetas fitoi një tjetër Scudetto, atë të sezonit 1999/2000, në 100-vjetorin e klubit.
Në Romë shtoi në koleksion:
Kampionatin italian
Kupën e Kupave
Superkupën Evropiane
Kupën e Italisë
Karrierën si futbollist e mbylli shkurtimisht në Angli me Leicester City në vitin 2001.
Me Kombëtaren italiane luajti 36 ndeshje dhe shënoi 4 gola. Ishte pjesë e skuadrës në Euro 1988, por nuk arriti të bëhej protagonist në Botërorin 1990, të luajtur në Itali.
Mancini trajner, një koleksion trofesh dhe një filozofi fituese
Pas tërheqjes nga futbolli, Mancini nuk vonoi të shfaqte të njëjtin instinkt fitues edhe nga pankina.
Karriera e tij nisi si ndihmës i Sven-Göran Eriksson te Lazio, përpara se të merrte drejtimin e Fiorentinës dhe të fitonte Kupën e Italisë.
Por shpërthimi i madh erdhi te Interi
Interi, fillimi i një dominimi
Nga viti 2004 deri në 2008, Mancini ndërtoi një Inter të fuqishëm që dominoi Italinë.
Trofe të fituar:
3 Scudetto radhazi
2 Kupa Italie
2 Superkupa Italie
Ishte trajneri që nisi ciklin fitues zikaltër përpara epokës së Jose Mourinhos.
Manchester City dhe nata historike e Agüeros
Në Angli, Mancini hyri në historinë e Manchester City-t.
Në sezonin 2011/12 ai udhëhoqi klubin drejt titullit të parë kampion në Premier League pas 44 vitesh.
Ishte një nga finalet më dramatike të historisë së futbollit anglez: goli i Sergio Agüeros në minutën e fundit ndaj QPR-së i dha City-t kurorën kampione.
Në Angli fitoi:
Premier League 2011/12
FA Cup 2011
Italia e Mancinit, nga rrënojat te froni i Evropës
Në vitin 2018, Italia ishte në krizë. Kombëtarja kishte humbur Botërorin e Rusisë dhe kërkonte një identitet të ri.
Mancini erdhi me një ide të qartë: futboll ofensiv, besim te të rinjtë dhe një grup të bashkuar. Rezultatet ishin historike.
Në mandatin e parë:
58 ndeshje
38 fitore
12 barazime
8 humbje
37 ndeshje radhazi pa humbje
11 fitore radhazi, rekord i ri italian
10 fitore në 10 ndeshje në eliminatoret e Euro 2020
Kulmi erdhi në Wembley.
Wembley 2021, nata që riktheu Italinë në majën e Evropës
Më 11 korrik 2021, Italia fitoi finalen e Euro 2020 ndaj Anglisë. Pas barazimit 1-1 në 120 minuta, “Axurrët” triumfuan me penallti dhe Mancini i dha Italisë titullin evropian pas 53 vitesh pritjeje.
Ishte një nga historitë më të bukura të futbollit modern: një skuadër e rindërtuar nga hiçi që përfundoi në majën e kontinentit.
Nga festa e Evropës te dhimbja e Maqedonisë së Veriut
Por historia nuk ishte perfekte. Vetëm disa muaj pas triumfit në Wembley, Italia pësoi një nga goditjet më të rënda të saj.
Humbja ndaj Maqedonisë së Veriut në play-off për Botërorin 2022 e la Kombëtaren jashtë Kupës së Botës për herë të dytë radhazi. Më 13 gusht 2023, Mancini dha dorëheqjen pas tensioneve me federatën.
Kthimi i “Mancio”, një shans i dytë për të shkruar historinë
Pas eksperiencave në Arabinë Saudite dhe Katar, Roberto Mancini rikthehet aty ku ka lënë gjurmën më të madhe.
Sfida është më e madhe se më parë.
Ai duhet:
të ndërtojë një brez të ri lojtarësh,
të rikthejë Italinë në turnetë madhorë,
të dëshmojë se suksesi i Euro 2020 nuk ishte një rastësi.
Mancini ka treguar se di të krijojë skuadra, të menaxhojë dhomat e zhveshjes dhe t’u japë besim talenteve.
Tani mbetet për t’u parë nëse magjia e Wembley-t mund të rikthehet. Epoka e dytë e Roberto Mancinit ka nisur. Dhe Italia kërkon sërish një mrekulli.
Top Channel