Pas fitores me San Marinon, Kombëtarja nis punën për ndeshjen me Finlandën në Nations League
Manchester City ka shpenzuar më shumë se 1.4 miliardë euro për blerje gjatë periudhës nga sezoni 2009-10 deri në 2017-18, nëntë sezonet për të cilat klubi u shpall përgjegjës për shkelje financiare nga një komision i pavarur i Premier League. Një shifër marramendëse, e cila vjen krahas një tjetër pretendimi financiar të trajtuar në vendim, atë të afro një miliard eurove në sponsorizime të fryra.
Por pas këtyre shifrave qëndrojnë disa prej futbollistëve më të rëndësishëm në historinë moderne të klubit. Nga Carlos Tevez dhe Sergio Agüero, te Kevin De Bruyne e Bernardo Silva, Manchester City ndërtoi skuadrën që më pas do të dominonte futbollin anglez. Këta janë 10 prej blerjeve më të rëndësishme, në rend kronologjik:

Carlos Tevez mbërriti te Manchester City në verën e vitit 2009, përpara periudhës së sponsorizimeve të kontestuara, për një shumë që sot do të ishte rreth 55 milionë euro. Transferimi kishte edhe një simbolikë të veçantë, pasi argjentinasi zgjodhi Cityn përpara Manchester United. Tevez qëndroi në klub deri në vitin 2013 dhe ishte pjesë e skuadrës që fitoi Premier League në vitin 2012, me Roberto Mancinin në stol. Ishte titulli i parë i Cityt pas 44 vitesh dhe momenti që shënoi fillimin e një epoke të re për klubin.

Në verën e vitit 2010, City e mori Yaya Touré nga Barcelona për ekuivalentin e rreth 30 milionë eurove. Mesfushori nga Bregu i Fildishtë u kthye menjëherë në një prej figurave qendrore të skuadrës. Në fund të sezonit të parë, Touré shënoi golin e fitores në finalen e FA Cup, duke i dhënë Cityt trofeun e parë të epokës së pronarëve nga Abu Dhabi. Ai qëndroi deri në vitin 2018 dhe fitoi tre tituj të Premier League, përfshirë atë të sezonit historik me 100 pikë nën drejtimin e Pep Guardiolës. Në kontratën e tij me Cityn janë ngritur gjithashtu pikëpyetje në lidhje me të drejtat e imazhit dhe një kompani të financuar nga Abu Dhabi Group.

Ashtu si Yaya Touré, edhe David Silva mbërriti në Manchester në verën e vitit 2010. City e bleu spanjollin nga Valencia për rreth 30 milionë euro. Silva u shndërrua në një prej lojtarëve më të rëndësishëm në historinë e klubit. Ai u largua në vitin 2020, pas 10 sezonesh, me 309 ndeshje në Premier League, 60 gola dhe 93 asistime. Një dekadë e mjaftueshme për ta kthyer në një prej legjendave absolute të Manchester Cityt.

Sergio Agüero është një nga emrat që lidhet më shumë se çdo tjetër me ngjitjen e Manchester Cityt në majën e futbollit anglez. Sot statuja e tij qëndron jashtë Etihad Stadium, në nderim të kontributit të jashtëzakonshëm. Argjentinasi mbërriti në verën e vitit 2011 nga Atlético Madrid, për një shumë që në vlerën e sotme do të ishte rreth 45 milionë euro. Ai mbeti përgjithmonë në historinë e Premier League për golin e minutës së 94-t në ndeshjen e fundit të sezonit 2011-12, që i dha Cityt titullin e parë të epokës së re. Agüero u largua në vitin 2021, me 184 gola në Premier League dhe pesë tituj kampionë me Cityn.

Në vitin 2013, Manchester City transferoi Fernandinhon nga Shakhtari për një shumë që sot do të ishte rreth 41 milionë euro. Braziliani u kthye në një prej shtyllave të skuadrës, si në fushë, ashtu edhe në dhomën e zhveshjes. Ai u largua në vitin 2022 pas nëntë sezonesh, duke fituar pesë tituj të Premier League. Në 264 ndeshje me Cityn, Fernandinho shënoi 20 gola dhe dha 19 asistime, por ndikimi i tij në ekuilibrin dhe organizimin e skuadrës ishte shumë më i madh se statistikat.

Kevin De Bruyne mbërriti te City nga Wolfsburgu dhe sot konsiderohet një prej futbollistëve më të rëndësishëm të historisë së klubit. Transferimi në vitin 2015 kushtoi ekuivalentin e rreth 64 milionë eurove. Mesfushori belg fitoi gjithçka me Cityn dhe u shndërrua në një prej simboleve të epokës së Pep Guardiolës. Pasimet e tij, vizioni dhe aftësia për të krijuar raste u kthyen në një prej armëve kryesore të skuadrës. De Bruyne ishte gjithashtu një prej figurave qendrore të Tripletës së vitit 2023, përpara se të largohej më vonë nga Manchesteri dhe të transferohej te Napoli.

Raheem Sterling iu bashkua Manchester Cityt në verën e vitit 2015, pasi klubi e bleu nga Liverpooli për rreth 57 milionë euro. Sulmuesi anglez u kthye në një prej lojtarëve kryesorë të fazës së parë të epokës së Pep Guardiolës. Me Cityn, Sterling shënoi 131 gola në 339 ndeshje, përpara se të largohej në drejtim të Chelsea-t në verën e vitit 2022. Ai ishte pjesë e skuadrës që nisi dominimin e Cityt në futbollin anglez.

Në verën e vitit 2016, İlkay Gündoğan u bë blerja e parë e Manchester Cityt në epokën e Pep Guardiolës. Mesfushori gjerman u transferua nga Borussia Dortmund dhe shumë shpejt u bë një prej lojtarëve më të besuar të trajnerit katalanas. Gündoğan ishte kapiteni i Manchester Cityt në sezonin historik të Tripletës së vitit 2023. Ai u largua atë verë, por u rikthye në klub një vit më vonë. Në total, gjermani fitoi pesë nga gjashtë titujt e Premier League të fituar nga City nën drejtimin e Guardiolës.

John Stones ishte një tjetër blerje e verës së vitit 2016, kur Pep Guardiola mori drejtimin e Cityt. Mbrojtësi anglez u transferua nga Evertoni për ekuivalentin e rreth 58 milionë eurove. Me kalimin e viteve, Stones u kthye në një element të rëndësishëm të sistemit taktik të Guardiolës, veçanërisht për mënyrën se si avanconte nga mbrojtja drejt mesfushës gjatë ndërtimit të aksioneve. Ai ishte një prej lojtarëve kyç të Tripletës së vitit 2023 dhe në karrierën e tij me Cityn fitoi të gjithë 20 trofetë e epokës Guardiola. Pas largimit nga Manchesteri, Stones zgjodhi Interin si lojtar i lirë.

Bernardo Silva iu bashkua Manchester Cityt në verën e vitit 2017, pasi klubi e bleu nga Monaco për ekuivalentin e rreth 50 milionë eurove. Portugezi u shndërrua në një prej futbollistëve më të rëndësishëm të epokës Guardiola dhe trajneri katalanas e ka cilësuar në vazhdimësi si një prej lojtarëve të tij më të preferuar. Bernardo ishte pjesë e të gjitha sukseseve të mëdha të Cityt në epokën Guardiola dhe fitoi 20 trofe me klubin. Ai u largua nga Manchesteri në maj dhe u transferua te Real Madridi.

Ederson mbërriti te Manchester City në verën e vitit 2017, nga Benfica, për ekuivalentin e rreth 41 milionë eurove. Portieri brazilian u kthye në një prej emrave më të rëndësishëm të epokës Guardiola, veçanërisht falë aftësisë së tij për të luajtur me këmbë dhe për të nisur aksionet nga zona e mbrojtjes. Ai u largua nga City pasi kishte regjistruar 276 paraqitje dhe kishte fituar gjashtë tituj të Premier League nën drejtimin e Guardiolës. Në verën e vitit 2025, vendin e tij në portë e mori Gianluigi Donnarumma.
Top Channel