Izrael-Irlandë shkon përtej futbollit, Federata Izraelite i përgjigjet ashpër trajnerit të kundërshtarëve
Nga Endi Tufa
Në pamje të parë, Shqipëria dhe Bjellorusia duket se i ndajnë disa diferenca të rëndësishme. Kuqezinjtë kanë një vlerë të skuadrës rreth 5.5 deri në 6 herë më të lartë, një tregues që lidhet edhe me nivelin e kampionateve ku aktivizohen futbollistët e Kombëtares.
Shqipëria ka në përbërje lojtarë që luajnë në nivele të larta të futbollit europian, me Berat Gjimshitin te Atalanta, Ardian Ismajlin te Torino, Frederik Veselin dhe të tjerë që kanë eksperiencë në kampionate të rëndësishme, ndërsa pjesë e grupit janë edhe futbollistë si Ylber Ramadani te Lecce dhe Aliji te Rayo Vallecano. Në krahun tjetër, një pjesë e konsiderueshme e futbollistëve bjellorusë aktivizohen në kampionatin vendas, ndërsa të tjerë luajnë në liga si ato të Rusisë, Bullgarisë, Polonisë apo Kazakistanit.
Edhe në renditjen sportive diferenca është e dukshme, me Shqipërinë rreth 30 vende më lart. Por statistikat e fundit sjellin një tjetër panoramë dhe janë pikërisht ato që e bëjnë këtë përballje më të paparashikueshme. Shqipëria vjen pas një serie prej pesë humbjesh radhazi, fakt i evidentuar edhe nga trajneri bjellorus Gançarenko. Një statistikë që padyshim i jep kundërshtarit një arsye shtesë për të besuar se mund të marrë rezultat.
Bjellorusia, ndërkohë, ka regjistruar rezultate pozitive në miqësoret e fundit. Në katër ndeshjet e fundit ka marrë dy fitore dhe një barazim, përballë Qipros, Armenisë, Sirisë dhe Burkina Fasos. Rezultate që duhen parë edhe në kontekstin e nivelit të kundërshtarëve, por që gjithsesi tregojnë një skuadër që vjen me më shumë vetëbesim.
Edhe historia e përballjeve direkte nuk flet për një dominim të thellë të Shqipërisë. Në shtatë ndeshjet e luajtura deri tani, kuqezinjtë kanë regjistruar tri fitore, dy barazime dhe dy humbje, ndërsa golaverazhi është 10-10.

Pra, diferenca financiare dhe renditja favorizojnë Shqipërinë, ndërsa forma e fundit dhe historiku i përballjeve kërkojnë kujdes. Në një ndeshje të Nations League, vlera në treg nuk përkthehet automatikisht në avantazh në fushë.
Kuqezinjtë kanë më shumë cilësi individuale dhe eksperiencë në nivele të larta, por pesë humbjet radhazi janë një statistikë që nuk mund të anashkalohet. Për këtë arsye, Shqipëri-Bjellorusi është një ndeshje ku diferenca në letër është e madhe, ndërsa prova reale do të jepet vetëm në fushë.
Top Channel