Maran e kaloi klasën, por a mund ta bëjë Shqipërinë të harrojë Sylvinhon
Presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit flet për projektligjin e ri të sponsorizimeve, formalizimin e sportit dhe marrëdhënien mes biznesit dhe klubeve sportive.
Projektligji i ri për sponsorizimet parashikon që bizneset të mund të përdorin deri në 30% të tatimit mbi fitimin për të mbështetur sportin, kulturën dhe aktivitete të tjera me interes publik.
Si e vlerësoni këtë nismë?
E vlerësoj si një nismë shumë të rëndësishme, me kusht që të miratohet dhe të zbatohet në mënyrë të qartë, transparente dhe pa pengesa të panevojshme burokratike. Në pamje të parë, duket sikur përfituesit kryesorë janë klubet sportive, federatat, sportistët dhe bizneset sponsorizuese. Por unë kam një këndvështrim tjetër: përfituesi më i madh, në planin afatgjatë, mund të jetë vetë shteti shqiptar. Dhe kjo për disa arsye që shkojnë shumë përtej financimit të sportit.
Përse mendoni se shteti përfiton më shumë, kur në fakt ai heq dorë nga një pjesë e tatimit mbi fitimin?
Sepse shteti nuk duhet ta shohë këtë mekanizëm vetëm si një shumë që nuk hyn në buxhet. Duhet të shohë se çfarë ekonomie të re, çfarë punësimi dhe çfarë formalizimi krijon kjo shumë. Së pari, për të përfituar nga sponsorizimet, organizatat sportive duhet të jenë të regjistruara, të identifikueshme dhe të funksionojnë sipas kërkesave ligjore. Kjo do të nxisë formalizimin e klubeve të futbollit, basketbollit, volejbollit, pingpongut, shahut, mundjes, atletikës dhe shumë disiplinave të tjera. Do të kemi mundësi të ndërtojmë një pasqyrë shumë më të plotë të organizatave sportive në Shqipëri, të veprimtarisë dhe financimit të tyre. Këto organizata do të funksionojnë me buxhete, kontrata, dokumentacion financiar dhe përgjegjësi ligjore. Pra, sporti do të bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e ekonomisë formale.
Po sportistët dhe trajnerët, çfarë përfitojnë konkretisht?
Këtu qëndron një nga përfitimet më të mëdha. Sot, në shumë disiplina sportive, marrëdhëniet financiare nuk janë gjithmonë të formalizuara. Ka sportistë që marrin shpërblime, bonuse apo mbështetje ekonomike pa pasur një marrëdhënie të qartë kontraktore. Me rritjen e financimeve dhe formalizimin e klubeve, krijohet mundësia që sportistët, trajnerët, përgatitësit fizikë, mjekët dhe punonjësit e tjerë të kenë kontrata të rregullta dhe paga të deklaruara.
Kjo do të thotë më shumë kontribute për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, më shumë të ardhura të deklaruara dhe më shumë siguri për vetë sportistët. Sportisti duhet të ketë një pagë zyrtare, sigurime, të drejta dhe detyrime, si çdo profesionist tjetër.
Pra, ju mendoni se një pjesë e parave që shteti nuk mbledh nga tatimi mbi fitimin mund t’i rikthehet përmes kontributeve dhe taksave të tjera?
Pikërisht. Nëse një pjesë e sponsorizimeve shkon për paga dhe shpërblime të ligjshme, shteti mund të përfitojë nga kontributet shoqërore, shëndetësore dhe tatimet përkatëse. Nuk mund të themi pa një studim ekonomik se sa për qind do të rikuperojë shteti, por potenciali është i konsiderueshëm. Për më tepër, krijohen vende pune, rritet konsumi dhe zhvillohen shërbimet që lidhen me sportin. Prandaj them se ky projektligj duhet parë si një reformë ekonomike dhe sociale, jo thjesht si një lehtësi fiskale.
A do të thotë kjo se bizneset do të sponsorizojnë vetëm klubet dhe shoqatat që janë të legalizuara?
Për të përfituar nga mekanizmi fiskal, do të duhet të respektohen kushtet e ligjit, përfshirë dokumentimin dhe identifikimin e përfituesve. Kjo është pozitive. Nuk mund të kemi një sport modern me marrëdhënie financiare informale. Një klub sportiv që kërkon mbështetje nga biznesi duhet të ketë dokumentacionin e tij, buxhetin, kontratat dhe përgjegjësinë për përdorimin e fondeve. Ky është një hap i domosdoshëm drejt profesionalizimit.
A po thoni se deri tani një pjesë e shoqatave sportive kanë funksionuar në informalitet?
Po, mendoj se informaliteti ka qenë një problem real në pjesë të caktuara të sportit shqiptar. Ka pasur raste kur sportistët janë mbështetur me dieta, shpërblime apo kontribute të tjera, pa pasur gjithmonë kontrata të mirëfillta profesionale. Natyrisht, nuk mund t’i përgjithësojmë të gjitha klubet dhe federatat. Por pikërisht për këtë arsye reforma është e rëndësishme: ajo krijon stimuj që marrëdhëniet financiare të bëhen më të rregullta dhe më transparente.
Si do të funksionojë në praktikë marrëdhënia midis një biznesi dhe një klubi sportiv?
Le të marrim një shembull të thjeshtë. Një kompani realizon një fitim prej 1 milion eurosh dhe ka një tatim mbi fitimin prej 150 mijë eurosh. Nëse, sipas mekanizmit të propozuar, i lejohet të përdorë deri në 30% të tatimit referues për sponsorizim, atëherë flasim për një shumë prej 45 mijë eurosh. Kompania mund ta drejtojë këtë shumë për të mbështetur një klub sportiv, duke respektuar kufijtë, autorizimet dhe procedurat e ligjit. Në këmbim, ajo mund të përfitojë edhe ekspozim publik të markës së saj, brenda marrëveshjes dhe rregullave përkatëse. Kështu krijohet një marrëdhënie me interes të ndërsjellë: sporti siguron financim, biznesi fiton dukshmëri dhe shteti nxit aktivitetin ekonomik formal.
A mendoni se bizneset do të kenë interes më të madh për të mbështetur sportin?
Pa dyshim, nëse mekanizmi është i thjeshtë dhe i parashikueshëm. Biznesi ka nevojë për reklama, për identitet publik dhe për marrëdhënie me komunitetin. Sporti është një nga mënyrat më të mira për ta realizuar këtë. Ne do të shohim gjithnjë e më shumë emra kompanish në fanellat e sportistëve, në palestrat sportive, në aktivitetet kombëtare dhe në organizimet e klubeve. Kjo është praktikë e zakonshme në shumë vende të zhvilluara. Edhe Shqipëria duhet të ndërtojë një model ku sporti dhe biznesi të jenë partnerë të qëndrueshëm.
Po klubet sportive, çfarë duhet të bëjnë për të përfituar?
Klubet duhet të ndryshojnë mënyrën e administrimit. Nuk mjafton të presësh që një kompani të japë para. Një klub duhet të ketë një projekt, një buxhet vjetor, objektiva sportive dhe një ofertë të qartë për sponsorët. Një klub mund të ketë pesë, dhjetë apo më shumë kompani mbështetëse, në varësi të madhësisë, rezultateve dhe aftësisë për të tërhequr sponsorë. Kjo do të krijojë konkurrencë pozitive midis klubeve për cilësi, rezultate, organizim dhe transparencë. Sporti duhet të mësojë të kërkojë financim duke treguar vlerën që krijon.
Cilat biznese mendoni se do të jenë më të interesuara?
Natyrisht, bizneset me fitime të qëndrueshme dhe me interes për promovimin e markës së tyre do të jenë ndër më të interesuarat. Në Shqipëri nuk kemi një numër shumë të madh kompanish me fitime të larta, prandaj do të ketë konkurrencë edhe midis organizatave sportive për të tërhequr financime. Por kjo është diçka pozitive. Klubet do të duhet të tregojnë se dinë të menaxhojnë fondet, se kanë rezultate dhe se përfaqësojnë vlera për komunitetin. Ndërsa kompanitë do të kenë një arsye shtesë për të zhvilluar aktivitetin e tyre në mënyrë transparente dhe fitimprurëse.
A ekziston rreziku që fondet e sponsorizimeve të keqpërdoren?
Rreziku i abuzimit ekziston në çdo mekanizëm financiar. Prandaj zgjidhja nuk është të pengojmë sponsorizimet, por të krijojmë kontroll të fortë dhe transparent. Unë mendoj se ministria përgjegjëse për sportin, në bashkëpunim me administratën tatimore dhe institucionet përkatëse, duhet të ketë një sistem të qartë monitorimi. Duhet të kontrollohet se kush i merr fondet, për çfarë përdoren, si dokumentohen shpenzimet dhe nëse ato përputhen me aktivitetin e organizatës sportive. Fondet nuk mund të përdoren në mënyrë arbitrare apo për qëllime që nuk kanë lidhje me veprimtarinë e ligjshme të përfituesit. Nëse ka kontrata, pagesa bankare, dokumentacion dhe auditim, mundësia për abuzime zvogëlohet ndjeshëm.
Përfundimisht, çfarë ndryshimi prisni të sjellë ky ligj në jetën sportive shqiptare?
Unë besoj se, nëse miratohet dhe zbatohet siç duhet, ky ligj mund të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si financohet dhe administrohet sporti shqiptar. Sporti do të ketë mundësi të kalojë nga mbështetja e rastësishme dhe marrëdhëniet informale drejt kontratave, buxheteve, planifikimit dhe përgjegjësisë profesionale. Sportistët do të kenë mundësi të sigurojnë të ardhura të deklaruara, sigurime dhe më shumë dinjitet profesional. Klubet do të kenë mundësi të ndërtojnë struktura më të qëndrueshme. Bizneset do të lidhen më fort me sportin dhe komunitetin. Ndërsa shteti do të fitojë nga formalizimi, punësimi, transparenca dhe zhvillimi ekonomik. Prandaj e përsëris: ky nuk duhet parë thjesht si një ligj që i jep para sportit. Është një mundësi për të ndërtuar një ekonomi të re sportive në Shqipëri. Dhe nëse kjo arrihet, përfitues nuk do të jenë vetëm sportistët dhe bizneset, por e gjithë shoqëria shqiptare.
Top Channel