Presidenti i Vllaznisë, Xhaferi kërkon falje për grushtin ndaj arbitrit: Beteja ime është kundër sistemit
Ilir Daja është padyshim një nga trajnerët më të suksesshëm të futbollit shqiptar.
Një karrierë e gjatë, tituj, eksperiencë europiane dhe një emër që prej vitesh ka peshë në futbollin shqiptar. Pikërisht për këtë arsye, çdo fjalë e tij ka rëndësi dhe çdo analizë e tij pas një ndeshjeje ka interes për publikun. Por prej kohësh ekziston edhe një tjetër histori, ajo e marrëdhënies së tij me median.
Ilir Daja ka zgjedhur shpesh të mos ndalet në flash-zone pas ndeshjeve. Jo një herë, jo dy herë, por në mënyrë të përsëritur. Dhe rasti i sotëm, pas fitores ndaj Skënderbeut, është vetëm një tjetër episod i kësaj historie.
Dikush mund të thotë se trajneri ka të drejtë të mos flasë. Dhe po, në rrethana të caktuara, kjo është e drejtë. Një trajner mund të mos jetë dakord me një pyetje, mund të jetë i irrituar, i lodhur, mund të mos dëshirojë të komentojë një çështje të caktuar apo thjesht mund të preferojë të mos japë intervistë.
Por këtu qëndron dallimi, intervista pas ndeshjes nuk është një intervistë që trajneri e pranon apo e refuzon sipas dëshirës. Ajo është pjesë e detyrimeve që rrjedhin nga aktiviteti sportiv dhe nga marrëdhënia televizive që e bën të mundur transmetimin e atij aktiviteti.
Dhe kur një trajner refuzon në mënyrë të përsëritur të përmbushë këtë detyrim, madje duke i shkaktuar edhe gjobë klubit që përfaqëson, atëherë çështja nuk mund të trajtohet më thjesht si një zgjedhje personale. Sepse heshtja është zgjedhje personale vetëm për sa kohë nuk cenon një detyrim profesional.
Ilir Daja nuk ka asnjë detyrim të japë një intervistë të gjatë. Nuk ka detyrim të jetë i kënaqur me pyetjet. Nuk ka detyrim të bëjë deklarata spektakolare. Dhe sigurisht që nuk ka detyrim të pajtohet me atë që shkruhet apo transmetohet më pas.
Por kur rregullat e garës dhe marrëdhënia me transmetuesin kërkojnë një prononcim pas ndeshjes, atëherë nuk bëhet më fjalë për dëshirën e trajnerit për të komunikuar. Bëhet fjalë për përmbushjen e një detyrimi. Dhe pikërisht këtu eksperienca dhe suksesi nuk mund të shndërrohen në privilegj.
Madje, sa më i madh të jetë emri, aq më e madhe është përgjegjësia. Daja është trajner i një klubi që luan në një kampionat të transmetuar për publikun. Publiku paguan, ndjek, interesohet, diskuton dhe kërkon të dëgjojë protagonistët e ndeshjes.
Media është ura mes këtij publiku dhe njerëzve që prodhojnë spektaklin sportiv. Prandaj nuk është çështje personale mes gazetarit dhe trajnerit. Nuk është as çështje e një gazetari që “do patjetër të marrë një intervistë”. Është çështje e respektimit të një formati profesional ku secili ka detyrimet e veta.
Top Channel