Klasifikimi i Abissnet Superiore/ Si është pozicioni i skuadrave pas 3 ndeshjeve të para të javës së pestë
Dinamo nuk gaboi pasditen e kësaj të shtune në Abissnet Superiore. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja mposhti Laçin me rezultatin 3-1 duke mbajtur hapin e Teutës kryesuese.
Pjesa e parë u mbyll me barazimin 1-1 me Dinamon që mori avantazhin në minutën e 22 me Lorran që hyri në zonë dhe pa u menduar shumë gjuajti në drejtim të portës lacjane duke u treguar i saktë. Por kryesimi 1-0 për skuadrën e drejtuar nga Ilir Daja rezistoi vetëm 3 minuta pasi në të 25 Laçi barazoi shifrat në 1-1 me Gamarra që mposhti portierin Teqja me një gjuajtje nga jashtë zone. Në minutat e fundit po ky futbollist u bë protagonist për kurbinasit por në aspektin negativ pasi u ndëshkua me karton të kuq si faull i lojtarit të fundit. Skuadrat shkuan në pushimin e ndeshjes me barazimin 1-1.
Në fillimin e pjesës së dytë, Dinamo gjeti sërish rrugën e rrjetës këtë radhë me Vilan që mposhti portierin Guri duke i dhënë avantazhin 2-1 skuadrës së tij. Në minutat shtesë kryeqytetasit gjetën edhe golin e tretë me Flamur Rucin për të vulosur fitoren 3-1 që iu jep mundësinë të shkojnë në 12 pikë, në vendin e dytë, vetëm 1 pikë më pak se Teuta.
Top Channel