Anglia ‘humbet pjesët’ përpara ndeshjes me Spanjën, 5 futbollistë do të mungojnë ndaj kampionëve të botës
Stuhia mediatike rreth Granit Xhakës dhe skandalit me certifikatën e falsifikuar të vaksinimit nuk ka kaluar pa një reagim të fortë nga familja. Vëllai i tij i madh, Taulant Xhaka (35 vjeç), ka zgjedhur të thyejë heshtjen për t’i dalë në mbrojtje kapitenit të kombëtares zvicerane në këtë moment delikat.
Ish-ylli i FC Basel ka shprehur solidaritetin e tij të plotë përmes një postimi të ndjerë në Instagram, ku u kujton opinionit publik dhe mediave kontributin e jashtëzakonshëm të 33-vjeçarit. Duke publikuar një foto të Granitit me fanellën e kombëtares, Taulanti shkroi: “Të gjithë bëjnë gabime. Askush nuk është perfekt. Ju lutem, mos e harroni kurrë një gjë: atë që Granit Xhaka, vëllai im, ka bërë për Zvicrën gjithë këto vite. Sa shumë zemër, pasion dhe krenari ka treguar për këtë vend dhe këtë fanellë.”
Mesazhi i Taulantit nuk u ndal vetëm te mbrojtja e vëllait, por përfshiu edhe një shigjetim të drejtpërdrejtë ndaj gazetarëve dhe kritikëve që e kanë vënë mesfushorin në qendër të sulmeve. “Edhe ju keni bërë gabime në jetën tuaj,” theksoi ai me tone të prera për mediat. “Gjëja më e rëndësishme nuk është të mos bësh kurrë gabime, por t’i pranosh ato, t’i njohësh dhe të mësosh prej tyre.”
Ky reagim vjen në një periudhë ku presioni mbi Granit Xhakën është mbytës. Ndërkohë që ai ka pranuar publikisht gabimin e tij, debati në Zvicër vazhdon të jetë i ndezur rreth së ardhmes së tij në ekipin kombëtar dhe mbajtjes së shiritit të kapitenit. Në sytë e Taulantit, faji i momentit nuk mund dhe nuk duhet të fshijë historinë dhe sakrificat e vëllait të tij për ngjyrat e Zvicrës.
Top Channel