Tirana dhe Elbasani kanë ndarë nga një pikë në javën e pestë të Superiores, pas një ndeshjeje me katër gola në “Selman Stërmasi”.

Përballja përfundoi 2-2, me Redon Xhixhën që ishte protagonist absolut për bardheblutë, duke shënuar të dy golat e skuadrës së tij.

Ndeshja u zhvillua pa praninë e tifozëve, pasi Tirana nuk arriti të konvertonte në kohë me gjobë pjesën e mbetur të dënimit.

Miqtë e nisën më mirë takimin dhe gjetën golin e parë në minutën e 23-të. Nikaj depërtoi në zonë dhe pasoi në qendër, ndërsa Ndong, në përpjekje për të larguar topin, e devijoi atë në portën e tij.

Tirana reagoi shpejt dhe vetëm shtatë minuta më vonë erdhi barazimi. Kish harkoi nga e djathta dhe Redon Xhixha, i vetëm në zonë, goditi me kokë duke mposhtur Aleksovskin për 1-1.

Elbasani nuk u tremb dhe në minutën e 37-të riktheu avantazhin. Mazari shmangu pozicionin jashtë loje, kaloi edhe Bekajn dhe nga e majta dërgoi topin në rrjetë.

Pjesa e parë u mbyll me avantazhin 2-1 të Elbasanit.

Tirana e nisi pjesën e dytë në kërkim të golit dhe në minutën e 54-t gjeti atë që kërkonte.

Një aksion i bukur në krahun e djathtë përfundoi me pasimin e Ilievskit për Xhixhën, i cili nuk gaboi përballë portës dhe shënoi golin e dytë personal, duke vendosur rezultatin në 2-2.

Pas barazimit, bardheblutë patën disa mundësi të mira për të përmbysur ndeshjen.

Rasti më i madh për Tiranën erdhi në minutën e 78-të. Xhixha ishte shumë pranë tripletës, teksa goditja e tij nga kufijtë e zonës u ndal nga shtylla.

Edhe Elbasani pati mundësi në minutat e fundit, por asnjëra skuadër nuk arriti të gjente golin e fitores.

Në fund, Tirana dhe Elbasani ndanë pikët me rezultatin 2-2.

Tirana 2-2 Elbasani

30′ Xhixha, 54′ Xhixha / 23′ Ndong (autogol), 37′ Mazari

Top Channel