Një tjetër problem i është shtuar Kombëtares shqiptare në ditën e parë të grumbullimit për ndeshjet e Nations League.

Adrion Pajaziti ka pësuar një dëmtim, ndërsa shkalla e tij ende nuk është përcaktuar. Sipas burimeve konfidenciale për gazetarin e Top Channel, Endi Tufa, mesfushori do t’i nënshtrohet ekzaminimit me rezonancë magnetike, i cili do të japë përgjigjen përfundimtare mbi seriozitetin e dëmtimit dhe mundësinë e tij për të qenë në dispozicion të trajnerit Rolando Maran. Dhe pikërisht dëmtimi i Pajazitit zbulon edhe arsyen e thirrjes së Klevi Qefalisë.

Mesfushori i Dinamos, i cili kishte qenë pjesë e listës së pritjes së Maranit, është thirrur sot me urgjencë dhe është shfaqur në ambientet e grumbullimit të Kombëtares. Pra, pas dëmtimit të Qazim Laçit, i cili u zëvendësua zyrtarisht nga Feta Fetai, Maran është përballur me një tjetër situatë të papritur në mesfushë. Në këtë kontekst është bërë edhe afrimi i Qefalisë, i cili fillimisht nuk ishte pjesë e listës zyrtare prej 29 lojtarësh.

Sipas informacioneve të siguruara nga gazetari i Top Channel, gjithçka tashmë lidhet me përgjigjen e rezonancës së Pajazitit. Nëse ekzaminimet konfirmojnë një dëmtim që e pengon mesfushorin të jetë në dispozicion, atëherë Qefalia pritet të formalizohet si pjesë e grupit për këtë cikël të Nations League.

Deri në këtë moment, ndryshimi i konfirmuar zyrtarisht nga FSHF është ai i Laçit me Fetain. Ndërkohë, prania e Qefalisë në grumbullim dhe situata e Pajazitit pritet të marrin një përgjigje përfundimtare pas ekzaminimeve mjekësore. Kombëtarja shqiptare përgatitet për katër ndeshjet e Nations League, ndërsa Marani tashmë përballet me një tjetër dilemë në repartin e mesfushës.

Top Channel