Largimi i Ronaldos nga Portugalia/ Zbulohet numri 7 i ri i luzitanëve, ja kush e merr fanellën ikonike të CR7

01/10/2026 11:34

Portugalia ka zbuluar numrat e fanellave për ndeshjen ndaj Danimarkës dhe vëmendja është përqendruar te fanella me numrin 7, e cila tashmë i është besuar Rafael Leaos.

Ish-sulmuesi i Milanit do të mbajë numrin që për vite me radhë ka qenë sinonim i Cristiano Ronaldos me kombëtaren portugeze. Vendimi vjen në një moment kur e ardhmja e CR7 me Portugalinë është bërë objekt diskutimesh.

Ronaldo ka qenë për shumë vite pronari i padiskutueshëm i numrit 7 dhe një prej figurave kryesore të kombëtares. Megjithatë, zhvillimet e fundit kanë ngritur pikëpyetje nëse aventura e tij me Portugalinë po shkon drejt fundit.

Largimi i Ronaldos nga grumbullimi i fundit i kombëtares dhe tensionet e raportuara pas përplasjeve me trajnerin kanë shtuar zërat për një ndarje të mundshme dhe të papritur mes kapitenit legjendar dhe përfaqësueses.

Nëse kjo do të konfirmohej si fundi i aventurës së tij ndërkombëtare, kalimi i numrit 7 te Leao do të merrte një simbolikë të veçantë.

Ronaldo e ka mbajtur fanellën me numrin 7 për pjesën më të madhe të karrierës së tij me Portugalinë, duke e kthyer atë në një prej numrave më ikonë në futbollin botëror. Tashmë, Rafael Leao është lojtari që do ta veshë atë në përballjen me Danimarkën.

Top Channel