Sandro Mazzola, i cili u nda nga jeta në orët e para të ditës së sotme, ka qenë, është dhe do të mbetet një nga simbolet më të mëdha të Interit. “Zemër zikaltër” është edhe titulli i autobiografisë së tij, një përkufizim që përmbledh një jetë të lidhur tërësisht me klubin milanez.

Mazzola veshi vetëm një fanellë gjatë karrierës së tij si futbollist. Me Interin ndërtoi një histori të gjatë, të mbushur me suksese, emocione dhe momente të vështira, duke ruajtur gjithmonë një ndjenjë të fortë përkatësie ndaj klubit.

Më 3 korrik 1977, në stadiumin “San Siro”, Mazzola luajti ndeshjen e fundit si futbollist. Ishte një mbrëmje veçanërisht e dhimbshme, pasi Interi humbi 2-0 finalen e Kupës së Italisë ndaj Milanit. Megjithatë, vendimi i tij për t’i dhënë fund karrierës ishte marrë.

Por largimi nga fusha nuk nënkuptonte largimin nga Interi. Mazzola kaloi në drejtim të klubit, duke marrë detyrën e këshilltarit të deleguar të presidentit Ivanoe Fraizzoli.

Në fakt, ndikimi i tij në vendimmarrjen e klubit kishte nisur edhe para tërheqjes nga futbolli. Mazzola kishte rol në zgjedhjen e trajnerëve dhe në projektin për ndërtimin e një Interi të ri. Në vitin 1977 ai këmbënguli për emërimin e Eugenio Bersellinit, pavarësisht se ky i fundit sapo kishte rënë nga Serie A me Sampdorian.

Bersellini solli disiplinën dhe rigorozitetin taktik që Mazzola kërkonte. Për sulmin, Interi afroi “Spillo” Altobellin nga Brescia, ndërsa një vit më pas nga i njëjti klub mbërriti Evaristo Beccalossi.

Puna e tyre u shpërblye në vitin 1980 me titullin kampion të Italisë. Një vit më pas Interi arriti deri në gjysmëfinalet e Kupës së Kampionëve, ku u eliminua nga Real Madridi.

Platini ishte shumë pranë Interit

Një nga historitë më të bujshme të periudhës së parë të Mazzolës si drejtues lidhet me Michel Platini. Në vitin 1977, kur francezi luante ende te Nancy, Interi kishte arritur një marrëveshje me të. Kontrata ishte firmosur dhe gjithçka dukej e mbyllur. Por rregullat për futbollistët e huaj ndryshuan dhe rihapja e kufijve për lojtarët e huaj u shty.

Platini qëndroi për dy vite nën kontratë me Interin, por më pas kaloi te Saint-Étienne. Në vitin 1982, francezi u transferua te Juventusi, ku do të bëhej një prej yjeve më të mëdhenj të futbollit europian.

Një tjetër transferim që Mazzola e kishte afruar ishte ai i brazilianit Paulo Roberto Falcão. Në vitin 1983, drejtuesi zikaltër kishte arritur një marrëveshje me lojtarin, i cili sapo kishte fituar titullin kampion me Romën.

Sipas rrëfimeve të publikuara ndër vite, marrëveshja ishte shumë pranë konkretizimit, por transferimi nuk u realizua dhe Falcão qëndroi në Romë.

Rikthimi te Interi dhe epoka Moratti

Pas largimit nga drejtimi i Interit në vitin 1985, Mazzola kaloi disa vite jashtë klubit. Punoi në media, krijoi një agjenci publicitare dhe pati një eksperiencë si drejtues te Genoa. Më pas, nga viti 2000 deri në vitin 2003, punoi edhe te Torino.

Por historia me Interin nuk kishte përfunduar. Në vitin 1995, pas kalimit të klubit nga Ernesto Pellegrini te Massimo Moratti, Mazzola u rikthye në drejtim. Në merkaton e parë të epokës së re u afruan lojtarë si Javier Zanetti dhe Roberto Carlos. Dy vite më vonë erdhi edhe një nga transferimet më të rëndësishme në historinë moderne të klubit: Ronaldo.

Fillimisht Mazzola nuk ishte bindur plotësisht nga braziliani. Ai e kishte parë Ronaldo në një miqësore mes Anglisë dhe Brazilit në vitin 1996, por paraqitja e tij nuk e kishte impresionuar. Pas sezonit të shkëlqyer te Barcelona, megjithatë, Mazzola mbështeti fuqishëm Morattin në përpjekjen për ta sjellë sulmuesin në Milano.

Ronaldo u transferua te Interi në vitin 1997 dhe u shndërrua në një prej figurave më të rëndësishme të klubit gjatë asaj periudhe.

Nga fusha te drejtimi i klubit, Sandro Mazzola e ka lidhur gjithë jetën e tij me Interin. Një histori e ndërtuar mbi një fanellë të vetme dhe mbi një identitet që ai e ka mbajtur gjithmonë: atë të një “Cuore nerazzurro”, një zemre zikaltër.

Top Channel