Mancini hap epokën e dytë me Italinë, 9 debutues dhe një rikthim surprizë
Prokuroria e Monzës ka kërkuar arkivimin e hetimit për ish-kryetarin e arbitrave Gianluca Rocchi dhe tre ish-anëtarë të VAR-it, Andrea Gervasoni, Luigi Nasca dhe Rodolfo Di Vuolo, të cilët hetoheshin për bashkëpunim në mashtrim sportiv.
Hetimi lidhej me të ashtuquajturat “trokitje” në dhomën e VAR-it në Lissone, gjatë disa ndeshjeve të zhvilluara në vitet 2024 dhe 2025.
Sipas Prokurorisë, nga materialet e mbledhura nuk kanë dalë prova për veprime mashtruese apo për qëllim të ndryshimit të rezultateve të ndeshjeve. Prokurorët theksojnë se shkelja e një rregulli sportiv apo organizativ nuk është automatikisht vepër penale dhe se për të folur për mashtrim sportiv duhet të ekzistojë një veprim i qëllimshëm për të manipuluar zhvillimin ose rezultatin e një gare.
Hetimi ka evidentuar probleme organizative dhe tensione të brendshme në sektorin e arbitrimit, si edhe pikëpyetje mbi rregullimin e sallës VAR dhe marrëdhëniet mes strukturave të arbitrimit, federatës dhe klubeve. Megjithatë, Prokuroria vlerëson se këto çështje nuk janë të mjaftueshme për të ngritur një akuzë penale për mashtrim sportiv.
Në disa raste, hetuesit kanë konstatuar se ndërhyrjet nga jashtë kishin për qëllim vetëm korrigjimin e gabimeve të dukshme të gjyqtarëve në fushë. Vendimin përfundimtar për arkivimin do ta marrë gjyqtari kompetent.
Shoqata Italiane e Arbitrave (AIA) e ka pritur me shumë kënaqësi kërkesën për arkivim, duke deklaruar se ka qenë gjithmonë e bindur për korrektësinë e arbitrave të saj. AIA shpreson që Rocchi, Gervasoni, Nasca dhe Di Vuolo të mund të rifitojnë tashmë qetësinë e nevojshme dhe që imazhi i tyre të rivendoset plotësisht.
Top Channel