Zëvendëspresidenti i Federatës Gjermane të Futbollit, Hans-Joachim Watzke, ka kërkuar dorëheqjen e Gianni Infantinos nga posti i presidentit të FIFA-s.

Zyrtari gjerman renditi tre arsye pse beson se Infantino nuk duhet të drejtojë më shtëpinë më të madhe të futbollit botëror. Kjo deklaratë vjen pasi Federata Gjermane refuzoi më parë të nënshkruante letrën e mbështetjes për rizgjedhjen e Infantinos. “Ai duhet të largohet, pa asnjë ‘por'”, deklaroi Watzke gjatë një festivali kushtuar inteligjencës artificiale në Berlin.

Si arsye të parë, ai përmendi “Çmimin e Paqes” të FIFA-s, një titull i krijuar nga vetë Infantino dhe i dorëzuar në dhjetor 2025 për presidentin e SHBA-së, Donald Trump, gjatë shortit të Kupës së Botës 2026. “Ai e shpiku vetë atë çmim dhe vendosi personalisht për t’ia dhënë atij. Nuk mund të shpikësh diçka vetë e më pas ta shpërndash sipas dëshirës. Kjo është çmenduri”, u shpreh Watzke.

Rasti i dytë lidhet me sulmuesin e kombëtares së SHBA-së, Folarin Balogun, dhe vendimin polemik mbi pezullimin e tij gjatë Botërorit. Balogun u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen e raundit të 16-tave, por pezullimi i tij automatik prej një ndeshjeje u anulua më vonë. Sipas pretendimeve që nxitën reagime të shumta, vendimi erdhi pas një telefonate direkte mes Donald Trump dhe Infantinos.

“Nuk mund të ndodhë që kur një lojtar merr karton të kuq, kreu i shtetit të telefonojë presidentin e FIFA-s dhe çuditërisht gjithçka të ndryshojë. Është absurde”, tha Watzke.

Pika e tretë e kritikave lidhet me planin e FIFA-s të paraqitur në fund të korrikut për krijimin e një kompanie tregtare të hapur ndaj investitorëve privatë. Projekti u anulua vetëm katër ditë pas prezantimit, duke nxitur pakënaqësi të mëdha në komunitetin e futbollit. “Kjo është krejtësisht çmenduri. Askush nuk dinte gjë, as zëvendëspresidentët e tij në FIFA dhe as Këshilli i FIFA-s”, përfundoi Watzke.

Top Channel