Shpërthen kryeministri britanik: FIFA po bën biznes të fëlliqur në kurriz të shëndetit të tifozëve!
Nga Endi Tufa
Kur Elseid Hysaj të shkelë në fushën e blertë në miqësoren ndaj Luksemburgut, ai nuk do të luajë thjesht një tjetër 90-minutësh. Ai do të kalojë një prag që asnjë futbollist në historinë e futbollit shqiptar nuk e ka prekur më parë: ndeshjen e 100-të me fanellën e Kombëtares. Në një sport ku koha është armiku më i madh dhe kujtesa shpesh e shkurtër, ky moment historik fton për një analizë të thellë të një rrugëtimi të shënjuar nga lavdia, presionet e mëdha, rëniet dhe një qëndrueshmëri e hekurt.
Nga Empoli në “San Paolo”: Kulmi i karrierës në klube
Për të kuptuar peshën e Hysajt në Kombëtare, duhet fillimisht të analizojmë karrierën e tij në klube, e cila është një nga më të suksesshmet për një legjionar shqiptar. Zbulimi i tij te Empoli, ku u formua taktikisht dhe fizikisht, ishte vetëm preludi. Nën drejtimin e Maurizio Sarrit, trajneri që do të kthehej në mentorin e tij, Hysaj kaloi te Napoli në vitin 2015.
Periudha nën hijen e Vezuvit (2015-2021) shënon epokën e artë të mbrojtësit shkodran. Në atë kohë, Hysaj u konsiderua një nga mbrojtësit e djathtë më të mirë dhe më të besueshëm në Serie A. Ai ishte titullar fiks në një skuadër që dhuronte spektakël në Champions League dhe sfidonte hapur Juventusin për titullin kampion. Pjekuria e tij taktike, aftësia për të luajtur në të dyja korsitë dhe rezistenca e lartë fizike e bënë atë një element thelbësor në futbollin elitar italian.
Kalimi te Lazio në vitin 2021, sërish nën kërkesën e Sarrit, konfirmoi statusin e tij. Edhe pse në Romë minutazhi ka pasur luhatje dhe vitet e fundit e kanë parë shpesh të luftojë fort për një vend titullari, arritja e mbi 300 ndeshjeve në elitën e futbollit italian mbetet një tregues i jashtëzakonshëm jetëgjatësie profesionale.
Kombëtarja: Ura lidhëse e dy epokave
Debutimi i tij me Shqipërinë erdhi në shkurt të vitit 2013, kur një 19-vjeçar i ndrojtur, por me një vetëbesim të habitshëm në fushë, i dërgoi një sinjal të qartë Gianni De Biasit. Që nga ai moment, Hysaj “e kyçi” krahun e djathtë të mbrojtjes.
Momentet e tij më të ndritura me ngjyrat kuqezi lidhen pazgjidhshmërisht me arritjet më të mëdha të Shqipërisë. Ai ishte një nga shtyllat e kualifikimit historik në Euro 2016, ku performancat e tij në Francë e konfirmuan si një lojtar të kalibrit evropian. Me kalimin e viteve dhe tërheqjen e “Gardës së Vjetër” (Cana, Agolli, Lila), Hysaj mori mbi supe një barrë të re: atë të liderit dhe shpeshherë, shiriti i kapitenit përfundoi në krahun e tij. Ai u shndërrua në urën lidhëse mes brezit që theu akullin në 2016-ën dhe atij aktual, të udhëhequr nga talentet si Asllani, Broja apo Mitaj.
Dritëhijet: Pesha e pritshmërive dhe kritikat
Megjithatë, një rrugëtim 13-vjeçar nuk mund të jetë vetëm një vijë e drejtë ngjitëse. Karriera e Hysajt, sidomos në vitet e fundit, ka njohur edhe momente të errëta dhe fërkime të forta me opinionin publik. Statusi i tij si lojtari me karrierën më të rëndësishme në klube e ktheu atë paradoksalisht në shënjestrën e parë kur gjërat nuk shkonin mirë për Kombëtaren.
Momenti më i vështirë erdhi padyshim gjatë Euro 2024, konkretisht në ndeshjen hapëse ndaj Italisë. Reagimi i tij instinktiv në rastin e golit të Barella-s shkaktoi një furtunë të vërtetë mediatike dhe reagime të ashpra nga tifozët. Ishte një nga ato momente kur pesha e fanellës duket e papërballueshme. Kjo periudhë, e kombinuar edhe me disa luhatje forme te Lazio ku humbi statusin e titullarit të paprekshëm, shënoi ndoshta pikën më të ulët psikologjike të karrierësë së tij. Shpesh është akuzuar nga kritikët se nuk arrin të ofrojë në fazën ofensive atë që pritet nga një mbrojtës krahu modern, duke u kufizuar më shumë në detyrat mbrojtëse.
Anatomia e një rekordi
Por, ajo që e përcakton vlerën e një lojtari nuk është mungesa e gabimeve, por aftësia për të mbijetuar dhe për t’u ngritur pas tyre. Fakti që pavarësisht kritikave publike, ai mbeti një zgjedhje e palëkundur për Sylvinhon, ashtu siç kishte qenë për Rejën, Panuccin dhe De Biasin, flet vëllime për atë që Hysaj ofron në dhomat e zhveshjes dhe në ekuilibrat taktikë të skuadrës. Trajnerët e dinë mirë: Elseid Hysaj mund të mos jetë lojtari i spektaklit që ndez turmat me driblime, por është “ushtari” taktik që nuk e tradhton kurrë skemën. Statistikat e tij tregojnë ende nivele të larta intensiteti, rikuperime të rëndësishme dhe kilometrazh elitar.
Arritja e 100 ndeshjeve nuk është një dhuratë; është një faturë e paguar me djersë, sakrificë dhe disiplinë absolute. Nga ai djali i ri i mbërritur nga Shkodra te Empoli, deri te burri që sot shkruan historinë si rekordmeni absolut i Kombëtares Shqiptare. Elseid Hysaj e ka fituar vendin e tij në panteonin e futbollit tonë, duke na kujtuar se talenti të çon në majë, por vetëm karakteri të mban aty për 100 ndeshje.
Top Channel