Një histori e pazakontë ka tronditur futbollin rumun dhe protagonist është një prej talenteve që dikur konsiderohej si e ardhmja e futbollit vendas.

Bëhet fjalë për Octavian Popescu, 23-vjeçarin e FCSB-së, i cili sipas raportimeve të mediave rumune u përfshi në një incident të pazakontë në apartamentin e tij në fund të gushtit.

Alarmi u ngrit pasi futbollisti nuk iu përgjigj për disa ditë telefonatave të familjarëve dhe njerëzve të klubit. Policia dhe zjarrfikësit shkuan në banesën e tij dhe, pasi askush nuk hapi derën, hynë me forcë. Sipas raportimeve të “Golazo”, “Gazeta Sporturilor” dhe “ProSport”, Popescu u gjet brenda së bashku me një person tjetër. Mediat rumune pretendojnë se në apartament kishte tullumbace dhe se mund të ishte përdorur oksid azoti, i njohur si “gazi i të qeshurës”.

Pas ndërhyrjes, futbollisti u dërgua për kontroll mjekësor dhe më pas në spitalin psikiatrik “Alexandru Obregia” në Bukuresht për vlerësim. Detajet e incidentit nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga FCSB. Drejtori sportiv Mihai Stoica i cilësoi raportimet si thashetheme dhe e përshkroi situatën si një çështje personale, që nuk lidhet me futbollin.

Pronari i klubit, Gigi Becali, konfirmoi megjithatë se Popescu ishte shoqëruar me njerëz që klubi i konsideronte si ndikim negativ dhe se kjo ishte një nga arsyet për vendimin për ta larguar përkohësisht nga ekipi.

Vetëm pak kohë më vonë, Popescu u huazua te skuadra greke Levadiakos, pa të drejtë blerjeje. FCSB, megjithatë, nuk hoqi dorë plotësisht prej tij dhe i zgjati kontratën. Mediat rumune raportojnë gjithashtu se ky mund të mos jetë incidenti i parë i këtij lloji, por kjo pjesë e historisë mbetet e pakonfirmuar zyrtarisht. Nga një prej talenteve më të mëdha të Rumanisë, Popescu tashmë përballet me një periudhë të vështirë të karrierës. Huazimi në Greqi mund të jetë mundësia e tij për të lënë pas këtë histori dhe për të rikthyer vëmendjen te ajo që di të bëjë më mirë: futbolli.

Top Channel