Serie A/ Gara për Champions në javën e fundit, kriteret, përballjet direjte dhe skenarët në rast barazimi me pikë për 4 skuadrat
Nga Endi Tufa
Në orët e fundit, selia e Milanit është kthyer në një sallë gjyqi mediatik ku gishtat drejtohen tek hallka që duket më e pambrojtur në zinxhirin komandues të RedBird: Igli Tare. Ndërkohë që Gerry Cardinale peshon vendimet e tij përfundimtare për të ardhmen e klubit, po serviret një narrativë që e ngarkon Drejtorin Sportiv shqiptar me faje që, pas një analize të ftohtë të fakteve dhe shifrave, thjesht nuk i përkasin.
Të bësh përgjegjës Igli Taren për situatën aktuale të Milanit do të thotë të injorosh thelbin e problemit: organigramën disfunksionale dhe anarkinë vendimmarrëse të ndërtuar nga vetë pronësia.
Një drejtor në “Kafaz të Artë”
Për të vlerësuar punën e një drejtuesi, duhet parë fillimisht hapësira që i jepet. Çfarë gjeti apo çfarë iu ofrua Tares në kushtet reale të punës?
Paradoksi i merkatos rekord: Gjeniu i Shitjeve
Për të kuptuar thellësisht këtë padrejtësi, mjafton të analizojmë shifrat e merkatos së verës së kaluar, kur Tare mori zyrtarisht detyrën. Milani lëvizi plot 476 milionë euro në treg—një shifër absolute rekord në historinë e klubit rozë-zi, e përkthyer në 10 blerje dhe 16 shitje.
Në dalje, Tare realizoi një ndërmarrje të vërtetë, një arritje anormale po të mendosh që Milani nuk kishte as fuqinë negociuese që të jep pjesëmarrja në Champions League. Ai arkëtoi mbi 150 milionë euro nga shitjet, një rekord historik që Milani nuk e kishte arritur kurrë në një sesion të vetëm. U deshën sakrifica të dhimbshme sportive, por brilante financiarisht: kalimi i Theo Hernandez në Saudi Pro League tek Al Hilal për rreth 25 milionë euro, Tijjani Reijnders tek Manchester City për 55 milionë, dhe Malick Thiaw tek Newcastle për rreth 35-36 milionë euro. Lista e spastrimeve u pasurua me Kalulu (14.3 milionë te Juventus), Okafor (21 milionë te Leeds), Emerson Royal te Flamengo, dhe një sërë huazimesh taktike si Musah, Pobega apo Chukwueze.
Në sytë e korporatës, Tare bëri saktësisht atë që i ishte kërkuar: gjeneroi fonde vitale.
Asfiksimi operativ në hyrje: Pse paratë nuk u shpenzuan nga Tare
Tragjedia sportive qëndron në faktin se njeriu që gjeneroi këto shifra marramendëse, nuk kishte autoritet mbi mënyrën se si ato u shpenzuan. Nga fondet e siguruara, klubi shpenzoi rreth 165 milionë euro për 11 afrime. U afruan lojtarë si Nkunku (blerja më e shtrenjtë, 37 milionë), Jashari, De Winter, Modric, Rabiot, Terracciano, Athekame, Estupinan, Odogu, Ricci dhe Saelemaekers.
Këtu sistemi e zhveshi Taren nga pushteti de facto. Blerjet nuk ndoqën logjikën e tij sportive. Për shembull, shitet një shtyllë si Thiaw për mbi 35 milionë euro, dhe për ta zëvendësuar afrohet De Winter që kushtoi gjysmën e asaj shifre—një tregues i qartë i diktatit financiar të Furlanit mbi nevojën sportive. Afrimet super të shtrenjta dhe me pak miratim unanim si Nkunku apo Jashari, si dhe afrimi i emrave me peshë si Modric apo Rabiot, mbajnë vulën e kompromiseve kolektive mes “algoritmit” të Moncadës, kufizimeve të Furlanit dhe influencës mediatike e teknike të Ibrahimovic dhe Allegrit.
“Rasti Matea” nuk është arrogancë, por simptomë e sistemit
Në këtë optikë, duhet lexuar me maturi edhe i ashtuquajturi “Rasti Matea”—ku Tare thuhet se mbylli një marrëveshje pa miratimin e Allegrit apo Furlanit. Kur një lëvizje tentohet jashtë burokracisë rraskapitëse të miratimeve korporative, kjo nuk reflekton kryeneçësi. Për një drejtues me një karrierë të gjatë dhe të suksesshme, kjo ishte tentativa e fundit e dëshpëruar për të vërtetuar se ai ekziston në atë klub për të marrë vendime si Drejtor Sportiv, dhe jo për të qenë thjesht një arkëtar luksi.
Udhëkryqi i Gerry Cardinale
Vendimet e sotme nga numri një i RedBird do të përcaktojnë kursin e institucionit. Nëse Cardinale zgjedh të largojë Furlanin dhe t’i besojë plotësisht Tares, do të ishte vendimi i vetëm me logjikë sportive. Por kjo kërkon t’i kthehet atij autoriteti i plotë. Nëse, nga ana tjetër, sjell një profil tjetër, rreziku i përsëritjes së historisë është i pashmangshëm. Problemi nuk është emri në derë, por struktura e pushtetit të RedBird, që e sheh futbollin si një ekuacion financiar dhe jo si një organizëm sportiv.
Igli Tare nuk dështoi. Atij iu garantua dështimi nga një sistem që i ofroi stilapsin për të shitur dhe ia fshehu çelësat kur erdhi koha për të blerë. Të kërkosh kokën e tij sot, do të thotë thjesht të gjesh një kurban për të mbrojtur ata që realisht e kanë dizajnuar këtë situatë.
Top Channel