Dita e 20-të e luftës/ Kryeministrat çek, polak e slloven takojnë Zelenskyn, negociatat vazhdojnë të mërkurën

15/03/2022 23:00

Sot është dita e 20 e luftës në Ukrainë. Sipas raportimit të të dërguarit tonë në Kiev, Artur Bibe që prej agimit Rusia ka shpeshtuar bombardimet. Një kompleks banesash u godit këtë mëngjes duke shkaktuar vdekjen e katër banorëve. Po ashtu u bombardua edhe metroja e Kievit. Bilanci i kësaj të marte deri tani është pesë të vdekur dhe 12 të plagosur, pas sulmit në katër objektiva civile, mes tyre operatori dhe gazetarja e “Fox News”.

23:00 “Luftën e kam parë vetëm nëpër filma. Tani po e jetoj!”, rrëfimi prekës i ukrainases

Tetyana duket e humbur. Ajo po pastron banesën e saj pasi një shpërthim rakete theu xhamat në bllokun e apartamenteve në një lagje të Kievit.  Asnjë gjë nuk ka mbetur për të mbrojtur shtëpinë e saj , ndërsa ballkoni është kthyer në gërmadhë. Ajo tha për BBC-në se u zgjua me alarmin për sulm ajror rreth orës 4 të mëngjesit dhe pa raketa që fluturonin në qiell.

22:58 Muzikë, jo luftë! Kantautori Tom Odell dhuron performancë emocionuese kushtuar Ukrainës

Kantautori Tom Odell u zhvendos në stacionin kryesor hekurudhor të kryeqytetit rumun, në të cilën luajti këngën e tij hit “Another Love” për ukrainasit që po i largohen luftës. Ukrainasit kanë vendosur të largohen nga vend i tyre duke u strehuar në vendet fqinje. Stacioni hekurudhor i Bukureshtit u ka ofruar ushqim, pije të nxehta, transport dhe akomodim personave që vijnë nga front i luftës.

22:41 Kryeministrat e Polonisë, Sllovenisë dhe Çekisë takojnë Zelenskyn: Mbështetje për Ukrainën

Kanë mbërritur në Kiev, Kryeministrat e Polonisë, Republikës Çeke dhe Sllovenisë , ku janë takuar me presidentin e Ukrainës Vlodomyr Zelensky. Të tre liderët do të paraqesin një paketë të gjerë mbështetjeje për Ukrainën.

22:28 Me kundërshtime, por ka vend për kompromis, Rusia dhe Ukraina vazhdojnë bisedimet të mërkurën

Këshilltari presidencial i Ukrainës, Mykhailo Podolyak, ka postuar në Twitter duke thënë se negociatat me zyrtarët rusë do të vazhdojnë të mërkurën. Ai tha se ka vend për kompromis, me gjithë raundet e bisedimeve kanë sjellë shumë pak rezultat.

22:09 OKB: Mbi 3 milionë të larguar deri më tani nga Ukraina

Numri i refugjatëve ukrainas që kanë ikur nga vendi që prej fillimi i luftës është tani 3,000,381, sipas Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët. Ato përfshijnë 1.8 milionë ukrainas në Poloni, sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët, kurse 300,000 po shkojnë në Evropën Perëndimore. Ukrainasit janë larguar nga qytetet nën sulmin e forcave ruse. Njëzet ditë pas konfliktit, OKB-ja thotë se 691 civilë kanë vdekur dhe 1,143 janë plagosur.

21:38 Jashtë planetit Tokë amerikanët dhe rusët janë një skuadër

Jashtë planetit Tokë, amerikanët dhe rusët funksionojnë si një skuadër, e kundërta e asaj që po ndodh prej javësh tashmë. Një astronaut amerikan tani do të kthehet në tokë. Fillimisht mendohej se Mark Vande Hei, i cili ka qenë në hapësirë ​​për 355 ditë, mund të lihej në hapësirë për shkak të tensioneve të shtuara mbi pushtimin rus të Ukrainës. Por është konfirmuar se ai do të udhëtojë me një anije ruse për në Kazakistan.

21:20 Rreth 30,000 të evakuuar nga Ukraina në 24 orë

Rreth 29,000 ukrainas u larguan nga qytetet e rrethuara të Ukrainës përmes korridoreve humanitare këtë të martë.  Sipas këshilltarit presidencial ukrainas, disa civilë u larguan nga qyteti port i Mariupolit. 20,000 ukrainas u larguan nga qyteti gjatë ditës së kaluar me 4,000 makina private.  Autoritetet lokale thonë se forcat ruse po pengojnë autobusët që të evakuojnë civilët nga qyteti, i cili po përballet me bombardime intensive ruse. Në qytetin verilindor të Sumy, Kryqi i Kuq thotë se u  evakuuan mijëra civilë me 100 autobusë pasi Rusia dha dritën jeshile për një korridor humanitar jashtë qytetit sot.

20:48  Heshtje dhe rrënoja/ Në Ukrainë s’ka më buzëqeshje, por vetëm lot dhe dhimbje (Foto)

Ukraina shënon sot ditën e 20-të të luftës, ndërsa është shkatërruar nga sulmet ruse. Numri i viktimave shtohet dita ditës pasi sulmet vazhdojnë të jenë prezent në zonat e banuara. Të dyja palët kanë një numër të lartë viktimash, por deri më tani nuk është nxjerrë një raport përfundimtar. Rrugët e qyteteve janë tashmë të heshtura, ku përveç sirenave dhe shpërthimeve nuk dëgjohet asgjë tjetër.

20:00 Pentagoni: Asnjë përparim nga forcat ruse

Pentagoni thotë se trupat ruse po përparojnë pak në terrenin e Ukrainës, ndërsa jemi në ditën e 20-të që nga nisja e pushtimit të tyre. Një kolonë trupash që lëviz drejt Kievit ndodhet rreth 20 km jashtë tij. Rusët vazhdojnë të përballen me rezistencë të ashpër në përpjekjen e tyre për të marrë Kharkivin,  qyteti i dytë më i madh i Ukrainës  dhe Mykolaiv, një qytet jugor pranë Detit të Zi.

18:30 Samiti i jashtëzakonshëm i NATO-s, Biden konfirmon pjesëmarrjen

Presidenti i SHBA-së,  Joe Biden do të jetë pjesë e samitit të jashtëzakonshëm të NATO-s në Bruksel javën e ardhshme. Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thirrur një samit të jashtëzakonshëm për 24 mars në Bruksel për luftën në Ukrainë. Në Twitter, Stoltenberg tha se liderët do të “adresojnë pushtimin rus të Ukrainës, mbështetjen tonë të fortë për Ukrainën dhe forcimin e mëtejshëm të parandalimit dhe mbrojtjes së NATO-s”.  Ai shtoi se në këtë “kohë kritike, Amerika e Veriut dhe Evropa duhet të vazhdojnë të qëndrojnë së bashku”.

18:10  Zelensky: Ukraina duhet ta pranojë që nuk do të anëtarësohet në NATO

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha këtë të martë se vendi duhet ta pranojë se nuk do të jetë në gjendje t’i bashkohet NATO-s. Duke folur në një video-konferencë me zyrtarët kanadez më herët sot, presidenti ukrainas tha: Ukraina nuk është anëtare e NATO-s. Ne e kuptojmë këtë. Ne jemi njerëz adekuat.  Ne kemi dëgjuar prej vitesh se dyert ishin të hapura, por kemi dëgjuar edhe që nuk mund të bashkoheshim, është një e vërtetë dhe duhet njohur.

17:48 Nënkryetari i bashkisë së Mariupolit: Stafi i spitalit dhe pacientët janë marrë peng

Nënkryetari i bashkisë së Mariupolit, Sergei Orlov tha se trupat ruse kanë marrë peng stafin dhe pacientët e spitalit të Mariupolit.

17:40 Zelensky: 97 fëmijë janë vrarë që prej nisjes së pushtimit rus

Presidenti ukrainas Volodymir Zelensky tha gjatë takimit online me deputetët kanadezë se pothuajse njëqind fëmijë kanë vdekur gjatë pushtimit rus të Ukrainës. Presidenti i Ukrainës shpjegon se qyteti jugor i rrethuar i Mariupolit ka mbetur pa rrjete komunikimi dhe pothuajse nuk ka ushqim. Zelensky shton se 97 fëmijë janë vrarë që nga fillimi i luftës.

 17:33 Vladimir Putin thyen lapsin gjatë bisedimeve për Ukrainën duke shfaqur ankthin e tërbimin e fshehtë (fotot)

Lideri rus është kapur në kamera duke thyer lapsin gjatë bisedimeve për Ukrainën në Bjellorusi në vitin 2015 kur ishte dhe hera e fundit që Rusia kreu operacione ushtarake para përfshirjes së Krimesë në Rusi. Zhvillimi i kujtuar së fundmi nga mediat ndodhi kur Vladimir Putin ishte në bisedime me Gjermaninë, Francën e Ukrainën në 2015, që sipas komentatorëve tregon tërbimin e tij ‘të brendshëm’ për çështjen.

17:27 Vijojnë bombardimet në periferi të Kievit, momenti kur sirenat pushtojnë qendrën

Bombardimet në periferi të Kievit kanë nisur sërish dhe po vijojnë me intensitet të lartë. Gazetari i Top Channel, Artur Bibe, i cili ndodhet në Kiev thotë se në këtë moment po goditet zona veriore, ndërsa luftime të ashpra vazhdojnë në Irpin,Volodon dhe Antonov.

17:10 Bidenit i ndalohet hyrja në Rusi

Rusia ka vendosur sanksione ndaj presidentit amerikan Joe Biden dhe zyrtarëve të tjerë të lartë amerikanë. Ministria e Jashtme e Rusisë tha se atyre u është ndaluar hyrja në vend në përgjigje të sanksioneve të SHBA-së, sipas BBC.

17:04 Zelensky: Lufta tregoi se cilët janë miqtë tanë të vërtetë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky gjatë fjalës së tij me deputetët kanadezë u kërkoi atyre të imagjinojnë se çfarë do të bënin nëse Kanadaja do të ishte në situatën e Ukrainës.

16:44 Ndërron jetë operatori i Fox News, u plagos bashkë me gazetarin një ditë më parë

Operatori i Fox News ka humbur jetën gjatë raportimit të luftës në Ukrainë. Pierre Zakrzewski, një kameraman veteran i Fox News, u plagos bashku me gazetarin e Fox News, Benjamin Hall të hënën. Ai nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë këtë të martë. CEO i Fox News, Suzanne Scott ka shprehur pikëllimin për humbjen e operatorit të dashur, që u vra në Horenka, pranë Kievit.

16:25 Bisedimet rifillojnë nga ekrani, Zelensky: Na nisni më shumë armë!

Delegacionet e Ukrainës dhe Rusisë kanë rinisur negociatat pas pauzës së një dite më parë, e pohuar kjo nga mediat ukrainase që citojnë një anëtar të delegacionit të Kievit, David Arakhamia të pohojë se “bisedimet janë duke u zhvilluar”, por ka ofruar asnjë detaj tjetër.

15:57 Rusia vendos sanksione ndaj presidentit Joe Biden!

Rusia ka vendosur sanksione kundër presidentit amerikan Joe Biden, Sekretarit të Shtetit Antony Blinken dhe disa zyrtarëve të tjerë amerikanë. Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Jashtme ruse, në një deklaratë të lëshuar këtë të martë, e cila thekson se masa vjen si përgjigje ndaj sanksioneve që ka marrë Rusia deri më tani.

13:30 Shkon në 4 numri i viktimave nga bombardimet e forcave ruse

Katër persona u vranë kur një ndërtesë 16-katëshe në Sviatoshynskyi, një zonë banimi në Kiev u bombardua nga forcat ruse. Më parë u raportuan vetëm 2 viktima. Një goditje tjetër në një ndërtesë tjetër në të njëjtin rreth shkaktoi dëme të vogla, thanë shërbimet e urgjencës.Të paktën katër ndërtesa në zonat e banuara në të gjithë kryeqytetin ukrainas – në lindje, veri dhe perëndim të qendrës së qytetit – u goditën nga sulmet ruse brenda një ore të së martës në mëngjes.

13:08 Abramovich nuk e pranojnë në Izrael-avioni ulet në Moskë!

Një avion privat, i dyshuar se përdoret nga oligarku i sanksionuar Roman Abramovich u pa të hënën në aeroportin Ben Gurion të tel Avivit, por miliarderi nuk ka mundur të qëndrojë në shtetin hebre. Ministri i jashtëm izraelit Yair Lapid deklaroi haptazi se vendi i tij nuk është parajsë e sigurtë për biznesmenet rusë, të cilet janë shënjestruar nga sanksionet ndërkombëtare me ngrirje asetesh pas pushtimit të Ukrainës.

13:00 Rusët hedhin në erë aeroportin e Dnipros

Raketat ruse shkatërruan krejtësisht pistën e aeroportit të Dnjipros, në lindje të Ukrainës, teksa fushata e bombardimeve te pamëshirshme mbi vendin paqësor, vazhdon. E gjithë struktura e aeroportit ka pësuar dëme masive, e ka dalë jashtë funksionit.

12:30 “Rusia e ka hipnotizuar NATO-n”, Zelensky akuza të ashpra

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e shprehu dhe një herë hapur zhgënjimin e tij me NATO-n pas refuzimit të aleancës për të vendosur një zonë ndalim-fluturimi, gjë të cilën perëndimi kërkon ta shmangë për të mos u gjendur në një kurs direkt përplasjeje me Moskën.Gjatë një video-telefonate me kryeministrin britanik Boris Johnson dhe liderë të tjerë europiane, Zelensky tha se NATO ishte “aleanca më e fortë në botë” – por “disa nga anëtarët e kësaj aleance janë të hipnotizuar nga agresioni rus”.

Zelensky: Dëgjojmë shumë të flitet për Luftën e Tretë Botërore, se gjoja mund të fillojë nëse NATO do të mbyllë qiellin e Ukrainës për raketat dhe avionët rusë dhe për këtë arsye nuk është krijuar ende zona e ndalim-fluturimit humanitar. Kjo i lejon ushtrisë ruse të bombardojë qytetet tona paqësore e të hedhë në erë blloqe banimi, spitale dhe shkolla. Katër ndërtesa shumëkatëshe në Kiev u bombarduan orët e para të ditës, me dhjetëra janë të vdekurit.

12:00 Tmerri i rusëve: Tre raketat e Perëndimit që shkatërrojnë çdo gjë u del përpara

Perëndimi vërtet nuk dërgoi ushtarë të luftonin në Ukrainë, por veç ndihmës financiare, e furnizoi këtë vend edhe me armë e pajisje ushtarake nga të avancuarat. Tre janë sistemet më të fuqishme raketore në duart e ukrainasve sot, që shkatërrojnë çdo gjë, nga tanket e deri tek helikopterët rusë. Në kohën kur lufta ka hyrë në ditën e 20-të, ushtria e Ukrainës ka përdorur masivisht raketat anti-tank “Javelin” , fjala më e fundit e teknologjisë amerikane. Këto raketa inteligjente nuk i godasin  tanket dhe mjetet e blinduara drejtpërdrejte: nga platforma e lëshimit, ato ngrihen një herë në ajër pastaj bien mbi objektiv në pjesën më të ekspozuar të tij, një kurth nga i cili zor të shpëtohet.

11:30 Ushtarët rusë me duart në kokë: Na falni, na gënjyen

“Na falni, na gënjyen, na tradhtuan edhe ne ashtu si ju”: dikush me duart në kokë, një tjetër që nuk mban dot lotët: konferenca për shtyp e një grupi ushtarësh rusë të kapur rob në Ukrainë, është përhapur me shpejtësi në rrjet. 7 oficerët e zbulimit rus u rrëzuan me avionët e tyre javën që shkoi. Më vone, iu dha mundësia të flisnin për gazetarët dhe të kërkonin ndjesë për veprimet e vendit të tyre.

11:00 Rusia do bëhet më agresive”; Bombardime si në Grozny- strategjia shkatërrimtare!

Lufta e Ukrainës po hyn në një fazë të re të rrezikshme: pas dy javë bombardimesh pa pushim, shkatërrimi të infrastrukturës civile, qindra jetësh të humbura në mesin e tyre, e mbi 2.5 milionë të shpërngulurish që po krijojnë një krizë të re humanitare në Europë, rrënimi që po mbjell Rusia në vendin fqinj nuk është aspak drejt fundit, mendojnë ekspertët. “Pavarësisht performancës së dobët ushtarake të Rusisë, e cila ishte bafesuese për shumëkënd, ne sërish jemi ende në fazat e para të këtij konflikti”, thotë Sara Bjerg Moller, e Seton Hall University.

10:30 “Po ju gënjejnë”/ Gazetarja ruse anti-luftës ndërpret transmetimin

Protesta e saj është gati e paimagjinueshme për kushtet në të cilat ndodhet. Gazetarja ruse Marina Ovsyannikova, hyri në studion e lajmeve të Channel 1 në Rusi gjatë kohës së transmetimit të drejtpërdrejtë, dhe ngriti pas shpinës së prezantues një pankartë ku shkruhej: “Jo luftës. Mos i besoni propagandës. Ata po ju gënjejnë”. Punonjëse e të njëjtit television, gruaja fill pas veprimit të saj u vu në pranga u dërgua në një stacion policie, por avokati i vet thotë se nuk ka mundur ta gjejë klienten e tij, dhe nuk ka më asnjë kontakt me të.

10:00 NATO po përgatitet: Nis 30 mijë trupa, 200 avionë, 50 anije në kufi me Rusinë

NATO ka dërguar dhjetëra mijëra trupa, duke përfshirë Marinsat Mbretërorë britanikë, një aeroplanmbajtëse, një destrojer dhe një nëndetëse sulmi me energji bërthamore në Norvegjinë, anëtare te aleancës që ndan 200 km kufi tokësor me Rusinë. Trupa nga 28 vende në Evropë dhe Amerikën e Veriut po marrin pjesë në stërvitjen që do të zgjasë rreth një muaj. Ajo është pagëzuar me emrin Pergjigja e  Ftohtë, dhe zhvillohet vetëm disa qindra kilometra larg kufirit rus, ndërsa që forcat e Vladimir Putinit vazhdojnë të bëjnë luftë në Ukrainë.

09:51 Kryeministrat e tre shteteve europiane takohen sot me Zelensky

Liderët e tre shteteve europiane do të udhëtojnë për në Kiev për tu takuar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe kryeministrin ukrainas Denis Shmyhal. Në një njoftim, zyra e shtypit tha se kryeministri polak Mateusz Morawiecki, zëvendëskryeministri Jarosław Kaczyński, kryeministri çek Petr Fiala dhe kryeministri slloven Janez Janša do të vizitojnë kryeqytetin e Ukrainës si përfaqësues të Këshillit Europian.

09:30 Raketat ruse godasin zonat rezidenciale, vdesin 2 persona në Kiev

Dy persona janë vrarë nga goditja e raketave ruse në një zonë banimi në Kievin perëndimor të martën herët në mëngjes, njoftuan Shërbimet e Urgjencës së Ukrainës. Një ndërtesë apartamentesh 16-katëshe në lagjen Sviatoshynskyi u dëmtua ndjeshëm nga shpërthimi që shkaktoi zjarr.

09:00 Parashikimi i këshilltarit ukrainas: Ja kur duhet të përfundojë lufta

Një këshilltar i Qeverisë së Ukrainës tha se pret që lufta në vendin e tij të përfundojë më së voni deri në fillim të majit, kur Rusisë “t’i mbarojnë burimet” për të sulmuar fqinjin e saj. “Unë mendoj se jo më vonë se në maj, në fillim të majit, do të duhet të kemi një marrëveshje paqeje”, tha Oleksiy Arestovich.

08:30 Dy ndërtesa banimi goditen nga bombardimet në Kiev

Dy ndërtesa në zonat e banuara të Kievit u goditën nga forcat ruse në orët e para të mëngjesit të së martës.

Një zjarr ka rënë në një pallat dykatësh por është shuar pak më pas. Nuk raportohet për viktima.

Pak pas goditjes në Osorkorky, një ndërtesë 10 katëshe me apartamente u godit nga një tjetër raketë duke shkaktuar zjarr në pesë katet e para të ndërtesës.

Një person u dërgua në spital për trajtim mjekësor ndërsa nuk dihet nëse ka të lënduar të tjerë.

08:00 Shpërthime të fuqishme/ Forcat ruse godasin stacionin e metrosë së Kievit (FOTO)

Në orët e para të mëngjesit të sotëm janë dëgjuar shpërthime të fuqishme në Kiev. Forcat ruse kanë goditur me raketë një stacion metroje, 500 metra nga qendra.

Me anë të një postimi në Twitter, rrjeti i metrosë së Kievit njoftoi se një nga shpërthimet këtë mëngjes dëmtoi pjesën e jashtme të stacionit Lukyanivska dhe zyrat.

Lukyanivska është mjaft afër qendrës së Kievit. Stacioni është mbyllur për shkak të dëmtimit.

Çfarë ndodhi gjatë orëve të fundit

Gazetari i plagosur: Korrespondenti i Fox Neës, Benjamin Hall, i cili ishte vendosur javët e fundit për të mbuluar luftën në Ukrainë,  është shtruar në spital  pasi u plagos teksa raportonte pranë Kievit. Plagosja e Hall vjen një ditë pasi  Brent Renaud, një gazetar amerikan u vra në qytetin ukrainas të Irpin.

Takimi i liderëve të NATO-s: Liderët e NATO-s pritet të mbajnë një takim të jashtëzakonshëm në Bruksel javën e ardhshme. Takimi pritet të përqendrohet në hapat e ardhshëm të aleancës për të forcuar praninë e saj mbrojtëse në Evropën Lindore në vazhdën e pushtimit rus të Ukrainës.

Protestuesja ruse: Maria Ovsyannikova, punonjëse e Channel One në Rusisë,  mbajti një pankartë kundër luftës për të ndërprerë transmetimin një nga televizionet kryesore shtetërore të Rusisë. “JO LUFTE. Ndaloni luftën. Mos i besoni propagandës, ju thonjë gënjeshtra”, shkruhej në pankartë. Avokati i Ovsyannikova tha se ai nuk është në gjendje të gjejë klienten e tij, pavarësisht raporteve se është në një stacion policie në Moskë.

Sulm në qytete:  Një person vdiq dhe gjashtë të tjerë u plagosën kur një ndërtesë apartamentesh  në lagjen Obolon të Kievit  u godit të hënën. Pothuajse çdo shtëpi e vetme në anën veriperëndimore të fshatit Moschun, pranë Kievit, ka pësuar dëme të konsiderueshme.

FOTO GALERI
16/17

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA