Detaje të reja nga atentati në Gjirokastër, tritoli dyshohet se u aktivizua në distancë, viktima Beqir Devolli ishte dënuar në 2012-ën

11/10/2026 09:54

Detaje të reja dalin në dritë nga hetimet për atentatin me tritol në Gjirokastër, ku humbi jetën Beqir Devolli, ndërsa mbeti i plagosur edhe Erigers Mela. Dyshimet paraprake janë se lënda plasëse e vendosur në automjet mund të jetë aktivizuar në distancë përmes një telefoni.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së shtunës, në bulevardin “18 Shtatori”, pranë institucioneve të drejtësisë dhe Policisë së Gjirokastrës, kur automjeti tip “Benz” shpërtheu në lëvizje.

Beqir Devolli, i cili drejtonte makinën, ndërroi jetë gjatë transportimit drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, si pasojë e plagëve të marra. Ndërkohë, Erigers Mela, i cili ndodhej në automjet, mbeti i plagosur, por raportohet se është jashtë rrezikut për jetën.

Siç raporton gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat, Devolli nuk kishte raportuar konflikte të hapura. Ai rezulton të jetë dënuar në vitin 2012 për transport të paligjshëm të emigrantëve.

Familja e tij ka banesën në një fshat të qarkut të Gjirokastrës, ndërsa vetë Devolli e kalonte pjesën më të madhe të kohës në Tiranë.

Mbetet ende për t’u përcaktuar zyrtarisht motivi i atentatit, mekanizmi i aktivizimit të lëndës plasëse dhe personat përgjegjës për vendosjen e saj. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të shpërthimit dhe identifikimin e autorëve.

Top Channel