Dimër i vështirë për Evropën/ Kriza e borxhit dhe protestat sociale shtojnë presionin, nëntë vende drejt zgjedhjeve
Duket se fati dhe ndërhyrja e Rojës Bregdetare greke kanë shpëtuar një turiste 44-vjeçare nga El Salvadori, pas gati 12 orë.
Ngjarja ndodhi rreth 72 milje detare në veriperëndim të ishullit të Zakinthosit, në detin Jon. Gjatë natës së kaluar, kroçera me flamur të Bahamas, në të cilën udhëtonte 44-vjeçarja, dha sinjalin SOS pasi pasagjerja ra në det.
Menjëherë nisi operacioni i kërkim-shpëtimit, por, me rënien e natës, gjetja e turistes u bë tepër e vështirë, raporton korrespondenti i Top Channel Artur Bibe.
Pikërisht në orët e para të mëngjesit, pak para zbardhjes së ditës, Roja Bregdetare greke, në bashkëpunim me anijen e mallrave MSC Rozella, e cila po ndihmonte në kërkime, arriti ta gjente 44-vjeçaren të gjallë.
Në operacionin e kërkim-shpëtimit morën pjesë gjithashtu helikopterë dhe anije të tjera që lundronin në zonë.
Pas shpëtimit, gruaja u transportua në spital, pasi shfaqte shenja hipotermie, pas rreth 12 orësh të kaluara në ujërat e detit Jon. Ndërkohë, ka nisur një hetim për të zbardhur rrethanat në të cilat ajo ra në det.
Shpëtimi i saj, në errësirë të plotë dhe më shumë se 70 milje detare larg bregut, konsiderohet një rastësi e jashtëzakonshme dhe një sukses i operacionit të kërkim-shpëtimit.
44-vjeçarja deklaroi se do t’u ishte mirënjohëse gjatë gjithë jetës shpëtuesve që arritën ta nxirrnin të gjallë nga ujërat e detit Jon.
Top Channel