Reagimet pas sulmit me 12 viktima në aeroportin e Riadit, OKB-ja paralajmëron përshkallëzim, Arabia Saudite kërcënon me kundërpërgjigje
Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën e Castellammare di Stabia, pranë Napolit në Itali, ku një grua 33-vjeçare, shtatzënë në muajin e shtatë, ka humbur jetën së bashku me vajzën që mbante në bark.
Pas tragjedisë, autoritetet kanë hapur një hetim për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar nëse vdekja mund të ishte parandaluar. Gruaja, Greta Astarita, nënë e një fëmije, kishte shfaqur dhimbje të forta në zonën e ijeve, çka bëri që familjarët ta dërgonin në spitalin San Leonardo.
Pas vizitave dhe ekzaminimeve mjekësore, 33-vjeçarja u largua nga spitali, pasi sipas vlerësimit të mjekëve, gjendja e saj nuk kërkonte shtrim. Megjithatë, pasi u kthye në shtëpi, gruaja nisi të përjetonte sërish dhimbje të forta dhe gjendja e saj u përkeqësua. Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, ajo humbi edhe ndjenjat, duke bërë që familjarët ta transportonin me urgjencë për herë të dytë në të njëjtin spital.
Situata u përkeqësua me shpejtësi pas rikthimit të saj në spital. Sipas dëshmive të familjarëve, mjekët i njoftuan fillimisht për vdekjen e foshnjës që 33-vjeçarja mbante në bark. Më vonë, pas një qëndrimi dramatik në repartin e terapisë intensive në spitalin e Castellammare di Stabia, të shtunën pasdite u konfirmua edhe vdekja e gruas.
Familjarët kanë paraqitur një kallëzim pranë policisë, e cila po merret me hetimin e rastit. Hetimi synon të sqarojë se çfarë ndodhi gjatë dy paraqitjeve të gruas në spital, si dhe nëse vlerësimi dhe trajtimi mjekësor gjatë vizitës së parë ishin të përshtatshëm. Autoritetet do të duhet të përcaktojnë nëse kishte shenja që kërkonin shtrim ose ndërhyrje të mëtejshme dhe nëse tragjedia mund të ishte parandaluar.
Deri në përfundimin e hetimeve, nuk ka një konkluzion zyrtar mbi shkakun e vdekjes apo përgjegjësitë e mundshme mjekësore. Ngjarja ka lënë në zi familjen e 33-vjeçares, ndërsa pritet që hetimet të hedhin dritë mbi rrethanat e kësaj tragjedie të dyfishtë.
Top Channel