“Rusia e ka hipnotizuar NATO-n”, Zelensky akuza të ashpra. BE vendos sanksione të reja

15/03/2022 14:08

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e shprehu dhe një herë hapur zhgënjimin e tij me NATO-n pas refuzimit të aleancës për të vendosur një zonë ndalim-fluturimi, gjë të cilën perëndimi kërkon ta shmangë për të mos u gjendur në një kurs direkt përplasjeje me Moskën.

Gjatë një video-telefonate me kryeministrin britanik Boris Johnson dhe liderë të tjerë europiane, Zelensky tha se NATO ishte “aleanca më e fortë në botë” – por “disa nga anëtarët e kësaj aleance janë të hipnotizuar nga agresioni rus”.

Zelensky: Dëgjojmë shumë të flitet për Luftën e Tretë Botërore, se gjoja mund të fillojë nëse NATO do të mbyllë qiellin e Ukrainës për raketat dhe avionët rusë dhe për këtë arsye nuk është krijuar ende zona e ndalim-fluturimit humanitar. Kjo i lejon ushtrisë ruse të bombardojë qytetet tona paqësore e të hedhë në erë blloqe banimi, spitale dhe shkolla. Katër ndërtesa shumëkatëshe në Kiev u bombarduan orët e para të ditës, me dhjetëra janë të vdekurit.

Pakënaqësia e tij u shpalos pikërisht në ditën kur BE-ja miratoi një raund të ri sanksionesh kundër Moskës. Zelensky mendon se duhet bërë akoma më shumë, ndonesë masat e reja përfshijnë ndalesa të investimeve në sektorin energjetik rus, në eksportet e mallrave luksoze dhe në importet e produkteve të çelikut nga Rusia. Sanksionet, që hyjnë në fuqi pas publikimit në gazetën zyrtare të BE-së gjatë ditës së sotme, ngrijnë edhe asetet e shumë udhëheqësve të biznesit, që mbështesin shtetin rus – në mesin e tyre edhe pronari i klubit të futbollit Chelsea, Roman Abramovich. Ato do të godasin fort kompanitë kryesore të naftës në Rusi – Rosneft, Transneft dhe Gazprom Neft – edhe pse vendet anëtare të BE-së do të mund të vazhdojnë të blejnë naftë dhe gaz prej tyre.

Top Channel