Kjo e premte shënon ditën e 16-të të luftës Rusi-Ukrainë, e cila ende nuk ka shenja paqeje. Herët në mëngjes, Rusia ka mbombarduar dy qytete, atë të Lutsk dhe Dnipro. Sulmi në Lutsk kishte në shënjestër një aeroport, sipas kryebashkiakut të qytetit. 48 shkolla në Kharkiv u shkatërruan, ndërsa qyteti është nën bombardime të pamëshirshme.
Guvernatori rajonal i Kharkiv informoi se forcat ruse kanë goditur një spital psikiatrik në rajon. Numri i viktimave nuk dihet, por në momentin e sulmit në spital ishin 330 persona.
22:44 Lituania emërton rrugën për në ambasadën ruse “Rruga e Heronjve ukrainas”
Kryeqyteti i Lituanisë Vilnius i ka ndryshuar adresën e ambasadës ruse në “Rrugën e Heronjve Ukrainas” . Kryebashkiaku Remigijus Simasius është shprehur se kjo është një masë për të protestuar kundër pushtimit rus ndaj fqinjit të saj properëndimor, Ukrainës. “Nga sot, kartëvizita e çdo punonjësi të ambasadës ruse do të dekorohet me një shënim në nderim të luftimeve të Ukrainës dhe të gjithë do të duhet të mendojnë për mizoritë e regjimit rus kundër kombit paqësor ukrainas kur shkruajnë emrin e kësaj rruge,” tha kryebashkiaku.
22:07 Ukrainë, granatimet e rënda ruse shpërthejnë në Mykolaiv
Granatime të rënda nga forcat ruse kanë shpërthyer rreth qytetit jugor të Ukrainës, Mykolaiv, mbrëmjen e së premtes. Kreu i Administratës së Rajonit Mykolaiv tha se kishte veprime armiqësore aktive pranë Guryivka, në veri të qytetit. Po ashtu në videot e mediave sociale shihen qartë zjarre në zonë dhe Vitaliy Kim. “Ne po përpiqemi t’i shtyjmë ata më tej,” tha Kim në Telegram.
19:23 Paralajmëron Macron: Europa është destabilizuar, mund të jetë më keq pas 12 deri në 18 muajsh
Presidenti francez Emmanuel Macron tha se furnizimet ushqimore evropiane dhe afrikane do të “destabilizohen thellësisht” nga lufta Ukrainë-Rusi. Ndërsa ka mbajtur një konferencë për shtyp pas një samiti të liderëve të BE-së në Versajë, ditën e sotme, Macron tha se Evropa ëshët destabilizuar nga lufta në këtë drejtim dhe mund të jetë më keq në 12 deri në 18 muaj e ardhshëm. “Evropa jonë tashmë është e destabilizuar nga lufta në këtë drejtim dhe mund të jetë më keq në 12 deri në 18 muaj”, tha Macron.
19:02 Shtëpia e Bardhë: Jemi të tmerruar nga taktikat brutale të Rusisë
Shtëpia e Bardhë tha sot se ka “indikacione të forta” se Rusia po kryen krime lufte në Ukrainë. Zëvendës sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Andrew Bates ka deklaruar se jemi të tmerruar nga taktikat brutale të Rusisë duke vrarë e dhunuar njerëz, gra shtatzëna e fëmijë. “Ne të gjithë kemi parë imazhet shkatërruese që vijnë nga Ukraina dhe jemi të tmerruar nga taktikat brutale të Rusisë. Gratë shtatzëna në barela, ndërtesa banimi të granatuara, familje të vrarë duke kërkuar siguri nga kjo dhunë e tmerrshme. Ne po shohim gjithashtu raporte të llojeve të tjera të abuzimeve të mundshme, duke përfshirë dhunën seksuale dhe me bazë gjinore”, u tha ai.
18:34 Ambasadori i Rusisë në OKB: Moska ka gjetur prova të armëve biologjike në Ukrainë
Ambasadori i Rusisë në OKB, Vasily Nebenzya ka pohuar se forcat e Moskës kanë gjetur prova të një përpjekjeje për të pastruar provat e armëve biologjike në Ukrainë. Sipas tij, forcat ruse kishin gjetur prova të një rrjeti prej “të paktën 30” laboratorësh të kërkimit biologjik që synonin forcimin e disa “sëmundjeve vdekjeprurëse”. Ai tha se eksperimente biologjike shumë të rrezikshme ishin kryer në koordinim me SHBA.
18:18 OKB-ja nuk është në dijeni të ndonjë programi të armëve biologjike në Ukrainë
Shefja e çarmatimit e OKB-së Izumi Nakamitsu tha se Kombet e Bashkuara nuk janë në dijeni të ndonjë programi të armëve biologjike në Ukrainë. Pas kërkesës së Rusisë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së u mblodh për të diskutuar pretendimet e saj, të paraqitura pa prova, për “aktivitetet biologjike” të SHBA-së në Ukrainë. Nakamitsu ngritit një tjetër shqetësim për situatën e luftës në Ukrainë, lidhur me sigurinë e termocentraleve bërthamore në Ukrainë, ku kërkoi dhe marrjenn e masave të menjëhershme për ta shmangur problemet.
18:00 Ish-presidenti i Ukrainës: Fitorja ruse do të ishte një ‘katastrofë’ për botën
Ish-presidenti i Ukrainës thotë se do të ishte një “katastrofë” për botën nëse Rusia do të dilte e fituar nga Lufta me Ukrainën. Viktor Jushçenko, i cili shërbeu si lider i Ukrainës nga viti 2005 deri në vitin 2010, tha për BBC-në se ai mund të parashikojë vetëm dy mënyra të mundshme me anë të cilave përfundon konflikti aktual.
17:26 Biden paralajmëron Rusinë: Nëse përdor armë kimike në Ukrainë, do të paguajë një çmim të rëndë
Presidenti amerikan Joe Biden paralajmëroi Rusinë se do të paguajë një “çmim të rëndë” nëse vendi përdor armë kimike në Ukrainë. “Unë nuk do të flas për inteligjencën, por Rusia do të paguajë një çmim të rëndë nëse përdor kimikate,” i tha Biden. Sipas qeverisë amerikane, qeveria ruse ka përdorur armë kimike si në helmimin e vitit 2020 të liderit të opozitës rus Alexey Navalny dhe në 2018 kundër Sergei dhe Yulia Skripal në Angli.
16:54 Zelensky: Ukraina është drejt fitores
Presidenti Zelensky tha se Ukraina ka arritur një pikë kthese dhe është në rrugën drejt fitores.“Nuk është e mundur të thuhet se sa ditë do të duhen për të çliruar tokën tonë ukrainase.Por është e mundur të thuhet se do ta bëjmë këtë sepse kemi arritur tashmë pikën e kthesës strategjikisht – jemi në rrugën e fitores sonë”, tha presidenti ukrainas në një lidhje direkte.
16:45 Ukraina vret oficerin e lartë rus
Një oficer i rangut të lartë rus është vrarë nga forcat ukrainase. Gjenerali Andrei Kolesnikov ishte komandanti i ushtrisë së 29-të të distriktit ushtarak lindor të Rusisë, sipas Anton Gerashchenko, një këshilltar i ministrit të brendshëm të Ukrainës. Detajet e vdekjes së tij nuk dihen dhe nuk ka asnjë koment nga pala ruse.
16:36 Ukraina akuzon Rusinë: Po godisni Bjellorusinë që ta fusni në luftë
Ukraina ka akuzuar avionët rusë se kanë qëlluar në një vendbanim bjellorus pranë kufirit nga hapësira ajrore ukrainase si një përpjekje për të futur Bjellorusinë në luftë. Forca ajrore ukrainase tha se në mesditë, shërbimi shtetëror kufitar mori informacion se avionët rusë ishin ngritur nga një fushë ajrore në Bjellorusi, kishin kaluar në hapësirën ajrore të Ukrainës dhe më pas kishin qëlluar në Kopani, një fshat në Bjellorusi, sipas Reuters.
15:40 Molotovët kundër rusëve/ Si i bëjnë dhe si i shpërndajnë ukrainasit
Gazetari i Top Channel, Artur Bibe ndodhet në Kiev dhe sot ka patur mundësinë të shikojë nga afër se si ukrainasit përgatisin bombat me molotov. Ndërkohë që shumë banorë të Kievit po largojnë familjet, gratë e fëmijët.
14:02 Lufta mund të rrisë shumë çmimet e ushqimeve
Çmimet e ushqimeve të kafshëve mund të rriten nga 8% në 20% si rezultat i konfliktit në Ukrainë, thotë agjencia e ushqimit e OKB-së. Në një vlerësim paraprak mbi pushtimin rus të Ukrainës, Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë thotë se nuk është e qartë nëse Ukraina do të jetë në gjendje të korrë prodhimin e saj në mes të konfliktit. Sipas agjencisë, 20-30% e drithërave të zakonshëm si misri dhe farat e lulediellit në Ukrainë nuk do të mbillen ose do të mbeten të pavjelura.
13:32 Ukrainën në BE “e bllokon” Shqipëria, Holanda: Është para, ka 10 vjet që pret!
Samiti i liderëve të BE-së në Versajë të Parisit hyn sot në ditën e dytë, por tashmë nga takimi i parë u mësua qartë se një anëtarësim i shpejtë i Ukrainës në bllok europian, refuzohet nga disa prej kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të vendeve anëtare. Holanda, një prej vendeve që dikur bëheshin pengesë për anëtarësimin e vendit tonë, tashmë duket se është kthyer në avokate të Shqipërisë. Kryeministri holandez, Mark Rutte, kujtoi sesi disa vende të Ballkanit Perëndimor po përpiqen prej dhjetë vjetësh të bëhen anëtarë të BE-së. “Kini parasysh Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, u shpreh ai.
13:12 Shpërthim i fuqishëm në Kroaci, bie droni nga Ukraina?!
Një objekt fluturues u rrëzua gjatë natës në periferi të kryeqytetit kroat, Zagreb, duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm, por fatmirësisht asnjë të lënduar. Misteri ka rrethuar incidentin që tronditi kryeqytetin kroat. Sipas disa raporteve në media, objekti i rrëzuar mund të ketë qenë një dronë, i mbërritur atje nga zona e luftës e Ukrainës qindra kilometra larg. Të tjerë flasin për një avion të vogël.
13:07 Zelensky, gati të flasë me Putin: Do pranojmë neutralitetin
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky është i gatshëm të bisedojë drejtpërdrejt me kreun e shtetit rus, Vladimir Putin, por “nuk do të bëjë asnjë kompromis ndaj pozicionit të Moskës gjatë këtyre negociatave”, tha zëvendësi i tij për CNN. Bisedimet mes ministrave të jashtëm të Ukrainës dhe Rusisë, të mbajtura të enjten në qytetin turk të Antalias, nuk sollën ndonjë përparim të madh, por Igor Zhovkva thotë se Kievi që në fillim nuk ishte shumë optimist për rezultatin.
12:58 Rusia zgjeron hartën e sulmit: Bombardohen egërsisht për herë të parë Dnipro e Lutsk!
Ngadalë, por Rusia po e zgjeron hartën e saj të bombardimeve në Ukrainë, pre e të cilave për herë të parë që nga fillimi i pushtimit, kanë rënë edhe dy qytetet qendrore, Dnipro e Lutsk.Trupat ruse ndërmorën një sulm të precizionit të lartë në dy aeroporte ushtarake të zonës, duke i nxjerrë jashtë përdorimit. Dy ushtarë ukrainas humbën jetën atje e 6 të tjerë u plagosën. Civilët u shenjëstruan nga bombat ruse mëngjesin e sotëm, ku gjeti vdekjen e menjëhershme një person.
10:25 Stoltenberg: Ukraina nuk duhet të bëhet luftë e NATO-s me Rusinë
NATO nuk duhet të lejojë që pushtimi rus i Ukrainës të kalojë në një luftë midis aleancës dhe Moskës, tha të premten shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke përjashtuar përsëri një zonë të ndaluar fluturimi. “Ne kemi përgjegjësinë për të parandaluar që ky konflikt të përshkallëzohet përtej kufijve të Ukrainës dhe të shndërrohet në një luftë të plotë midis Rusisë dhe NATO-s”, tha ai.
09:55 BE-ja propozon 500 milionë euro shtesë ndihmë ushtarake për Ukrainën
Bashkimi Evropian propozoi dyfishimin e ndihmës financiare për ushtrinë e Ukrainës, duke shtuar 500 milionë euro në këtë fond. Shefi i diplomacisë së BE-së, Josip Borell, tha të premten, më 11 mars se është i sigurt se liderët e BE-së që do të takohen në Francë do të pajtohen për zgjerimin e pakos për blerjen e armëve për Ukrainën. BE-ja muajin e kaluar theu një tabu të kahershme duke rënë dakord të paguajë për dërgesat e armëve në Ukrainë pasi presidenti rus Vladimir Putin filloi pushtimin e fqinjit të tij.
09:40 Navalny bën thirrje për më shumë protesta kundër luftës në Ukrainë
Politikani opozitar rus i burgosur, Aleksei Navalny, ka bërë thirrje për protesta këtë fundjavë kundër pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Moska. Kritiku më i zëshëm i Kremlinit më 11 mars i kërkoi lëvizjes kundër luftës që të linte mënjanë frikën e arrestimit dhe të dilte në rrugë në atë që “padyshim nuk është një luftë e kotë”. “Maniaku i çmendur Putin do të ndalohet më shpejt nga populli i Rusisë nëse ata kundërshtojnë luftën”, tha ai në postim. Rusia nisi pushtimin e saj të Ukrainës më 24 shkurt, duke shënuar sulmin më të madh ndaj një vendi evropian që nga Lufta e Dytë Botërore.
09:30 OKB: Më shumë se 2.5 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina
Më shumë se 2.5 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina deri më 11 mars, tha agjencia e Kombeve të Bashkuara e migracionit, të premten. Shifrat e fundit tregojnë 200,000 refugjatë shtesë që nga raporti i fundit deri më 10 mars. Në anën tjetër, Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare tha të premten se të paktën 1.85 milionë njerëz u zhvendosën brenda Ukrainës. Pjesa më e madhe e refugjatëve ukrainas kanë hyrë në Poloni.
09:20 Rusia bombardon qytetin Dnipro të Ukrainës
Forcat e ushtrisë ruse kanë bombarduar këtë të premte qytetin Dnipro në Ukrainë. Shërbimet e emergjencës thanë se si pasojë e sulmit, një person humbi jetën. “Herët të premten, ka pasur tre sulme ajrore në qytet, domethënë goditën një kopsht fëmijësh, një ndërtesë apartamentesh dhe një fabrikë këpucësh dykatëshe, duke shkaktuar një zjarr. Një person vdiq,” u tha në një deklaratë nga shërbimet e emergjencës. Bombardimet u raportuan gjithashtu të premten në Lutsk, një qytet në veriperëndim të Ukrainës.
09:00 Kina bën thirrje për përmbajtje në konfliktin në Ukrainë
Kryeministri kinez, Li Keqiang, ka bërë thirrje për përmbajtje në konfliktin në Ukrainë për të shmangur një fatkeqësi humanitare. Derisa e quajti situatën “me të vërtetë shqetësuese”, Li shmangi kritikën ndaj pushtimit rus në komentet e tij në një konferencë shtypi në Pekin të premten, më 11 mars. “Ne sinqerisht shpresojmë se situata do të lehtësohet dhe paqja do të kthehet sa më parë,” tha Li. Ai shtoi se është e rëndësishme tani të mbështesin Rusinë dhe Ukrainën në negociatat e tyre.
08:50 Kazakistani ndërpret fluturimet me Rusinë
Kompania kazake e aviacionit “Air Astana” ka ndaluar plotësisht komunikimin me Rusinë. Lajmi është raportuar nga mediat lokale. Fillimisht, ndalimi i fluturimeve ka ndodhur në mënyrë gjysmë zyrtare. “Gjatë 24 orëve të fundit, Air Astana ka anuluar disa fluturime (pa një alternativë) për në Rusi, duke përmendur një urdhër të qeverisë”, shkroi botimi kazakistan i NUR.KZ, duke cituar ankesat e lexuesve. Linja ajrore komentoi situatën më pas. Në veçanti, raportet u shfaqën në media duke iu referuar një letre nga linja ajrore dërguar klientëve të saj.
08:40 Biden: Ukraina “kurrë” s’do jetë një fitore për Putin
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden shprehu vendosmërinë e SHBA-ve për të vazhduar mbështetjen e Ukrainës në luftën e saj kundër agresionit rus. Kreu i Shtëpisë së Barhdë theksoi se Ukraina “kurrën e kurrës” nuk do të jetë një fitore për presidentin rus Vladimir Putin. Kjo deklaratë erdhi përpara bisedimeve me liderin kolumbian Ivan Duque në Shtëpinë e Bardhë, raporton Zëri i Amerikës.
08:30 Marrëdhënie “normale” tregtare mes Rusisë dhe SHBA-ve, jo më
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden do të bëjë thirrje për t’i dhënë fund marrëdhënieve normale tregtare me Rusinë të premten. Kjo, pas pushtimit të Ukrainës, sipas një burimi të njohur me këtë çështje. Vendimi do t’i jepte leje Shtëpisë së Bardhë për të rritur tarifat ndaj Kremlin-it. Sipas tij, presidenti Biden dhe administrata vlerësojnë udhëheqjen bipartizane të Kongresit dhe thirrjet e tij për revokimin e PNTR-së.
08:25 “14 miliardë dollarë”/ Senati amerikan miraton paketën e ndihmës për Ukrainën
Senati amerikan ka miratuar me shumicë dërrmuese një paketë për të ofruar 13.6 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën. Institucioni e dërgoi projektligjin në Shtëpinë e Bardhë për nënshkrimin e Presidentit Joe Biden. Dispozita është pjesë e një projektligji më të madh të shpenzimeve të qeverisë. Ajo u miratua pasi demokratët në pushtet hoqën fondet për lehtësimin e COVID-it. Kjo, për shkak të rezistencës nga përfaqësuesit republikanë.
08:15 Shpërndahet autokolona masive ushtarake ruse
Civilët e bllokuar brenda Mariupolit po kërkojnë me dëshpërim ushqime e karburant ndërsa forcat ruse vazhduan edhe të enjten të bombardojnë qytetin port. Ndërkohë fotografi satelitore treguan se autokolona masive e Kremlinit, që ndodhej disa kilometra jashtë kryeqytetit ukrainas është shpërndarë dhe ridislokuar sërish.
Top Channel