Lituania emërton rrugën për në ambasadën ruse “Rruga e Heronjve ukrainas”

11/03/2022 22:44

Kryeqyteti i Lituanisë, Vilnius i ka ndryshuar adresën ambasadës ruse në “Rrugën e Heronjve Ukrainas”.

Kryebashkiaku Remigijus Simasius është shprehur se kjo është një masë për të protestuar kundër pushtimit rus ndaj fqinjit të saj properëndimor, Ukrainës.

“Nga sot, kartëvizita e çdo punonjësi të ambasadës ruse do të dekorohet me një shënim në nderim të luftimeve të Ukrainës dhe të gjithë do të duhet të mendojnë për mizoritë e regjimit rus kundër kombit paqësor ukrainas kur shkruajnë emrin e kësaj rruge,” tha kryebashkiaku.

Deri më tani, ambasada ruse e ka marrë adresën nga rruga letoneze që ndodhet aty afër, emri i së cilës mbetet i pandryshuar, po emërimin e ka marrë një rrugë e vogël, deri tani pa emër,  që të çonte në ambasadën ruse.

Simasius shtoi se të mërkurën punëtorët vendosën dy targa të reja rrugësh me emrin në lituanisht dhe ukrainisht.

Më herët, Lituania ka përdorur të njëjtën mënyrë në vitin 2018, për të dërguar mesazh Rusisë me shenja dhe simbole, ku riemëroi një shesh jashtë ambasadës “Boris Nemtsov”, një figurë e shquar e opozitës që u vra pranë Kremlinit nga sulmues të panjohur.

Top Channel