Nga njohja në Universitetin e Kembrixhit te ritakimi vite më vonë në një bar, historia e dashurisë mes kryeministrit Andy Burnham dhe Marie-France van Hill

20/07/2026 17:50

Që nga vitet e studimeve në Universitetin e Kembrixhit e deri te hyrja në Downing Street, Marie-France van Hill ka qenë në krah të kryeministrit të ri britanik, Andy Burnham.

E lindur në Holandë, ajo ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në fushën e marketingut dhe strategjisë së biznesit.

Marie-France van Hill, e njohur nga miqtë si Frankie, u njoh me Andy Burnham në vitin 1989 në Universitetin e Kembrixhit, ku ajo nisi studimet në Fitzwilliam College. Në atë kohë, Burnham ishte në vitin e dytë të studimeve për letërsi angleze.

Sipas rrëfimeve të ish-studentëve, marrëdhënia e tyre tërhoqi vëmendje, pasi van Hill konsiderohej një nga studentet më të spikatura të universitetit.

Marie-France van Hill lindi në janar të vitit 1970 dhe u rrit mes Holandës dhe Belgjikës, përpara se të zhvendosej në Mbretërinë e Bashkuar për studime.

Në fillimet e lidhjes së tyre, çifti kaloi edhe një episod të pazakontë. Me nxitjen e van Hill, ajo mori pjesë në emisionin e njohur televiziv “Blind Date” të ITV-së, të drejtuar nga Cilla Black, ku zgjodhi një kandidat për një udhëtim në Gjibraltar. Megjithatë, njohja nuk u shndërrua në një lidhje.

Vite më vonë, Burnham dhe bashkëshortja e tij u takuan rastësisht me të njëjtin person në një bar në Parlament, ku ai punonte si drejtor komunikimi për Partinë Konservatore.

Çifti u bë prindër për herë të parë në vitin 2000, me lindjen e djalit të tyre, Jimmy. Sipas vetë Burnham, ardhja në jetë e djalit ishte arsyeja që ata vendosën të martoheshin pas shumë vitesh bashkëjetese.

“Unë besoj se martesa është më e mirë për fëmijët”, deklaronte ai në një intervistë të vitit 2007, duke e cilësuar veten “tradicional” në këtë aspekt.

Më pas familjes iu shtuan edhe dy vajzat, Rosie dhe Annie. Jimmy punon në Royal College of Nursing, Rosie në industrinë e pijeve për markën Jägermeister, ndërsa Annie ka përfunduar studimet në Universitetin e Cardiffit.

Marie-France van Hill ka ndërtuar një karrierë të gjatë në sektorin e marketingut dhe strategjisë. Ajo ka punuar për kompani të njohura, përfshirë Sky, dhe ka kontribuar në projekte të identitetit korporativ, si zhvillimi i logove për BBC dhe Rugby Football Union.

Sipas analistëve, përvoja e saj në komunikim ka ndikuar edhe në mënyrën se si janë ndërtuar fushatat politike të Andy Burnham.

Aktualisht, van Hill mban një pozicion drejtues në departamentin e marketingut të kompanisë Iduna, e cila operon rrjetin e karikimit të automjeteve elektrike në zonën e Mançesterit.

Pozicioni i saj ka nxitur debate politike, pasi Burnham, gjatë kohës që shërbente si kryetar i Bashkisë së Mançesterit të Madh, ishte përfshirë në vendimmarrje që lidhej me infrastrukturën e transportit dhe energjisë.

Për të shmangur çdo dyshim për konflikt interesi, Burnham deklaroi publikisht marrëdhënien profesionale të bashkëshortes së tij dhe u tërhoq nga çdo vendimmarrje që kishte lidhje me Iduna ose projekte të lidhura me kompaninë.

Partia Konservatore e kritikoi atë për mosdeklarimin e një pakete prej 0.2% të aksioneve që van Hill zotëronte në kompani. Megjithatë, Autoriteti i Mançesterit të Madh sqaroi se Burnham kishte përmbushur detyrimet ligjore për deklarimin e interesave, pasi kishte bërë publik pozicionin profesional të bashkëshortes së tij.

Top Channel