Rusia zgjeron hartën e sulmit: Bombardohen egërsisht për herë të parë Dnipro e Lutsk!

11/03/2022 12:58

Ngadalë, por Rusia po e zgjeron hartën e saj të bombardimeve në Ukrainë, pre e të cilave për herë të parë që nga fillimi i pushtimit, kanë rënë edhe dy qytetet qendrore, Dnipro e Lutsk.

Trupat ruse ndërmorën një sulm të precizionit të lartë në dy aeroporte ushtarake të zonës, duke i nxjerrë jashtë përdorimit. Dy ushtarë ukrainas humbën jetën atje e 6 të tjerë u plagosën.  Civilët u shenjëstruan nga bombat ruse mëngjesin e sotëm, ku gjeti vdekjen e menjëhershme një person.

Ministri ukrainas i mbrojtjes, Oleksii Reznikov, thotë se në Ukrainë, praktikisht që nga fillimi i mësymjes mbi dy javë më parë, forcat ruse kanë vrarë më shumë  civilë sesa ushtarë. “Nuk dua që kjo të dëgjohet vetëm në Kiev, dua që të dëgjohet anembanë botës”, u shpreh ai.

Civilët e bllokuar brenda Mariupolit po kërkojnë me dëshpërim ushqime e karburant ndërsa forcat ruse vazhduan edhe të enjten të bombardojnë qytetin port. Ndërkohë fotografi satelitore treguan se autokolona masive e Kremlinit, që ndodhej disa kilometra jashtë kryeqytetit ukrainas është shpërndarë dhe ridislokuar sërish, e po tenton të vazhdojë avansimin drejt Kievit në grupime më të vogla.

Njësi të blinduara të saj janë parë në qytete pranë aeroportit Antonov. Një pjesë e automjeteve janë zhvendosur në pyje, njoftoi kompania ‘Maxar Technologies’. Autokolona ishte grumbulluar jashtë qytetit në fillim të javës së kaluar, por ajo kishte ngecur për shkak të mungesës së ushqimeve dhe karburantit.

Zyrtarët amerikanë thonë se trupat ukrainase gjithashtu e kanë goditur atë me raketa antitank. Në Mariupol, një qytetet me 430,000 banorë, situata po bëhet gjithnjë e më e rëndë. Që nga fillimi i sulmit, më shumë se 1,300 persona kanë vdekur sipas zëvendëskryeministres Iryna Vereshchuk, ndërsa zyrtarët lokalë thonë se është e vështirë të gjesh vende të mbrojtura nga bombardimet.

Top Channel