Shtëpia e Bardhë tha sot se ka “indikacione të forta” se Rusia po kryen krime lufte në Ukrainë.

Zëvendës sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Andrew Bates ka deklaruar se jemi të tmerruar nga taktikat brutale të Rusisë duke vrarë e dhunuar njerëz, gra shtatzëna e fëmijë.

“Ne të gjithë kemi parë imazhet shkatërruese që vijnë nga Ukraina dhe jemi të tmerruar nga taktikat brutale të Rusisë. Gratë shtatzëna në barela, ndërtesa banimi të granatuara, familje të vrarë duke kërkuar siguri nga kjo dhunë e tmerrshme. Ne po shohim gjithashtu raporte të llojeve të tjera të abuzimeve të mundshme, duke përfshirë dhunën seksuale dhe me bazë gjinore”, u tha ai.

Sigurisht për këtë nuk ka akoma një vendim zyrtar, të marrë në mënyrë të ligjshme nga një hetim i mirëfilltë, por zyrtarë të lartë ndërkombëtarë i kanë klasifikuar veprimet luftarake të Rusisë ndaj Ukrainës si të tilla.

Duke i cilësuar këto sulme të neveritshme, Bites tha se viktimat civile në Ukrainë po vazhdojnë të rriten dhe këto janë një provë për të vërtetuar krimet e luftës që po zhvillon Rusia.

“Nëse Rusia synon qëllimisht civilët, ky do të ishte një krim lufte. Dhe siç po e shohim të gjithë në televizion drejtpërdrejt, provat po shtohen dhe ne po i dokumentojmë ashtu siç ndodh. Ka indikacione të forta se kjo po ndodh dhe se mënyra e urryer që Rusia po e ndjek këtë luftë do të rezultojë në krime lufte,” shtoi Bites.

Sipas tij, aktivistët e të drejtave të njeriut, shoqëritë civile dhe mediat e pavarura që dokumentojnë, mbledhin dhe ekspozojnë prova për krime të mundshme lufte, abuzime të të drejtave të njeriut dhe shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar kanë mbështetjen e plotë të SHBA-së.  më pas këto prova do të shqyrtohen edhe me aleatët dhe partneret, për t’i kërkuar llogari të gjithë atyre që janë përfshirë në këto krime lufte.

Më herët edhe ambasadorja e SHBA-së në OKB  Linda Thomas-Greenfield ka thënë se veprimet e kryera nga Rusia kundër popullit ukrainas përbëjnë krime lufte.

 

Top Channel