LIVE/ Tirana mes flakëve e tymit, protestues të maskuar sulmojnë institucionet, shkatërrojnë banka e plaçkitin biznese, 26 të lënduar, Rama: Nuk jap dorëheqjen

15/10/2026 21:34

Prej orës 09:00, dita e tretë e protestës në Tiranë është shoqëruar sërish me akte dhune dhe përplasje. Protestues të maskuar kanë sulmuar me gurë, sende të forta dhe fishekzjarrë institucionet dhe Policinë, ndërsa janë sulmuar e plaçkitur banka, biznese dhe kioska, duke lënë pas dëme të shumta në rrugët e kryeqytetit.

Përplasjet më të forta u regjistruan te Kryeministria, ku tensionet zgjatën për rreth një orë e gjysmë dhe efektivët ndërhynë me gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë protestuesit. Nga incidentet mbetën të lënduar 26 persona, ndërsa një efektiv policie nga Durrësi dhe një nga Shkodra ndodhen në spital.

Në ditën e tretë të protestave, Kryeministri Edi Rama përjashtoi mundësinë e dorëheqjes. Në një përgjigje për agjencinë ndërkombëtare të lajmeve Reuters, Rama deklaroi se qeveritë ndryshohen përmes zgjedhjeve demokratike dhe jo përmes dhunës. Ai u shpreh i gatshëm për dialog me studentët dhe për adresimin e kërkesave të tyre legjitime.

Protestuesit u mblodhën fillimisht pranë Ministrisë së Arsimit, ku u përsëritën veprimet e dhunshme të dy ditëve të mëparshme. U shkulën kangjellat dhe godina e ministrisë u godit me gurë, ndërsa u shkaktuan dëme edhe në biznese në Rrugën e Durrësit.

Më pas, protesta u zhvendos drejt Parlamentit. Një pjesë e protestuesve qëndroi përpara godinës, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës për t’i shpërndarë.

Tensionet vijuan pranë Ministrisë së Infrastrukturës, ku një grup protestuesish thyen xhamat e godinës. Disa vajza u shtrinë në mes të rrugës, duke bllokuar kalimin e efektivëve. Policia ndërhyri me spraj, gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë, duke arritur më pas të hapë rrugën.

Pas ndërhyrjes së policisë, protestuesit u kthyen sërish në Rrugën e Durrësit, ku qëndruan për orë të tëra. Në zonën pas Muzeut Historik Kombëtar u dëmtuan dy biznese. Në njërin prej tyre u thye vitrina, protestuesit hynë brenda dhe dëmtuan ambientet. Prej biznesit u mor edhe një fikëse zjarri, e cila më pas u hodh mes materialeve që digjeshin në rrugë.

Protesta u zhvendos më pas përpara Bashkisë së Tiranës, ku drejt godinës u hodhën gurë dhe fishekzjarrë. Tensione pati edhe pranë selisë së Partisë Socialiste, e cila u sulmua nga protestuesit, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës për t’i shpërndarë.

Sulmet vijuan edhe ndaj institucioneve të tjera. Në drejtim të Ministrisë së Mjedisit u hodhën gurë, ndërsa u thyen edhe xhamat e Teatrit të Kukullave. Gjatë protestës u sulmua gjithashtu Ministria e Brendshme, ndërsa Ministria e Ekonomisë u sulmua sërish dhe iu vu zjarr.

Në shënjestër të protestuesve përfunduan edhe bankat. Të paktën katër banka të nivelit të dytë u sulmuan dhe u dëmtuan gjatë protestës. Në qendër të Tiranës, një bankë u godit me tulla dhe shkopinj në hyrje dhe në fasadën prej xhami. Në zonën e “9-katësheve” u sulmua një tjetër bankë, ku protestuesit thyen derën dhe hynë brenda.

Një bankë tjetër në zonën e “Myslym Shyrit” u godit me shkopinj, duke iu thyer dera dhe xhamat. Në një tjetër rast, protestuesit përdorën mjete metalike për të thyer xhamat dhe për të hyrë brenda një banke. Alarmi i sigurisë u aktivizua, ndërsa protestuesit nxorën jashtë një sasi dosjesh dhe dokumentesh përpara se të largoheshin. U shkatërrua gjithashtu bankomati i një banke tjetër.

Pas bankave, protestues me maska sulmuan edhe dyqanet e dy kompanive telefonike, duke dëmtuar ambientet e tyre. Gjatë protestës u sulmuan dhe u dëmtuan edhe biznese të tjera në disa zona të kryeqytetit.

Gjatë incidenteve u dogjën disa kioska në qendër të Tiranës. Protestuesit i vunë zjarrin gjithashtu kabinës së rojës pranë Agjencisë së Sigurisë Kibernetike dhe kabinës së rojës së Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

Një tjetër pikë e tensioneve ishte Kryeministria, ku protestuesit u grumbulluan disa herë gjatë ditës. Në drejtim të godinës u hodhën tulla dhe sende të forta, ndërsa policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe ujë për t’i shpërndarë.

Gjatë orëve të mbrëmjes, protestuesit sulmuan ambientet e Ministrisë së Brendshme dhe të Ministrisë së Ekonomisë.

Top Channel