Të lënduarit gjatë protestës në Tiranë, një efektiv i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale. Katër protestues nën kujdes mjekësor

15/10/2026 17:55

Ministria e Shëndetësisë ka përditësuar informacionin mbi gjendjen shëndetësore të personave të lënduar gjatë protestës në Tiranë.

Sipas njoftimit të orës 17:50, disa protestues dhe dy efektivë policie po marrin kujdes mjekësor në Spitalin Universitar të Traumës, ndërsa njëri prej efektivëve po i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale.

“Përditësim mbi gjendjen shëndetësore të personave të lënduar gjatë protestës, ora 17:50:

Në Spitalin Universitar të Traumës janë nën kujdesin mjekësor dy efektivë policie. Efektivi me inicialet D.K. është shtruar në shërbimin e Neurokirurgjisë për monitorim të mëtejshëm dhe paraqitet në gjendje të mirë shëndetësore.

Efektivi me inicialet F.R., i ardhur nga Shkodra, aktualisht po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale për shkak të një dëmtimi në kokë.

Gjithashtu, katër protestues janë nën kujdesin mjekësor dhe paraqiten në gjendje të mirë shëndetësore.

Sipas informacioneve paraprake, protestuesja me inicialet E.P. aktualisht ndodhet nën monitorim intensiv. Ajo paraqitet në gjendje të mirë shëndetësore dhe është e vetëdijshme.

Në QSUT nuk ka asnjë të lënduar aktualisht”, shkruan Ministria e Shëndetësisë.

Top Channel