Burj Khalifa dhe Aspire Tower vishen kuqezi për 28 Nëntorin, Rama: Faleminderit dhe respekt!
Nga Filip Çakuli
Nuk po e tregoj vendndodhjen. Le ta gjejnë vetë revolucionarët. Është objektivi i fundit strategjik që u ka mbetur pa likuiduar.
Kam studiuar jo pak revolucione në historinë e botës. Kam lexuar për Revolucionin Francez, atë Rus, për revolucionet në Amerikën Latine, për kryengritje që kanë rrëzuar mbretër, perandorë e diktatorë. Disa kanë përmbysur regjime, të tjera kanë ndryshuar historinë. Por askund nuk kam gjetur një revolucion që ta ketë përqendruar gjithë energjinë te koshat e plehrave.
Ka pasur raste kur populli i ka hedhur politikanët në kosh. Por të djegësh koshin, në vend që të hedhësh politikanin brenda, është një zhvillim origjinal i teorisë revolucionare. Një kontribut shqiptar në shkencën e përmbysjeve politike.
Në Francë revolucionarët patën Bastijën. Në Rusi, Pallatin e Dimrit. Në Shqipëri, objektivat ishin koshat, semaforët dhe pllakat e bulevardit. Secili popull zgjedh simbolet e veta historike. Ne, me sa duket, kemi vendosur të luftojmë kundër shërbimeve bashkiake.
Protestë kombëtare të paktën mos e quani, se fyeni kombin. As studentore, se turpëroni studentët. Po as paqësore, se tregoni se keni probleme edhe me kuptimin e fjalës paqe.
Revolucion shkon. Se revolucioni e ka brenda dhunën. Nuk ka revolucion paqësor, ashtu siç nuk ka zjarr pa djegie. Të paktën, kështu na e shpjeguan me veprat e tyre revolucionarët e 28 Nëntorit.
Qëllimi u arrit! Tre kosha plehrash, që kishin mbetur ende në këmbë, u dogjën. Një semafor, që nuk e di si kishte shpëtuar nga revolucioni i kaluar, u shkul. Edhe bulevardi, për fajin e tij, kishte ende pllaka e gurë. Revolucionarët u kujdesën ta sheshonin, që të mos kishte dallime mes tyre. Barazi edhe në shkatërrim!
Risi e dukshme ishin kapuçët e zinj. Disa mbanin edhe flamuj, por jo për t’i valëvitur në nderim të kombit. Më shumë u hynin në punë për t’u dhënë shkopinjve një përdorim të ri. Flamuri, nga simbol bashkimi, u kthye në vegël pune. Patriotizëm me dorezë!
Policët ishin po ata. Edhe gurët, flakët dhe molotovët ishin po ata. U ndryshua vetëm data, nga një protestë në tjetrën. Për fat, këtë herë nuk u vra njeri. Një arsye për t’u gëzuar, por jo për të harruar se sa pranë mund të ishim një tragjedie.
Dita e Flamurit u flakërua, u molotovizua, u gurëzua dhe u bë pis nga disa pisanjosë, që e ngatërruan patriotizmin me vandalizmin.
Populli, që duhej të festonte dhe të nderonte Ditën e Flamurit, nuk guxoi të dilte nga shtëpia. Mund të përfundonte në spital ose, larg qoftë, në varreza. Përkujtim më të bukur të kësaj feste, as armiqtë e Shqipërisë nuk do të kishin ditur të organizonin.
Ndërkohë, Rama këndonte Himnin Kombëtar në Pallatin e Brigadave. Fjalët dukej sikur i shqiptonte si tekst dorëheqjeje. Por ishte një keqkuptim. Nuk po jepte dorëheqjen. Po këndonte himnin.
Tirana u shkatërrua, opozita u gëzua, Rama u hidhërua. Por jo aq për t’u dorëhequr, sesa për katandisjen e revolucionit në një derexhe që mallkohet edhe nga ata që duhej ta mbështesnin.
Sepse ky është paradoksi i madh: kishte njerëz me plot halle, pakënaqësi dhe arsye për të protestuar kundër keqqeverisjes. Kishte një zemërim të vërtetë qytetar, që mund të mbushte sheshet. Por në vend që t’u jepnin zë këtyre njerëzve, ua mbuluan zërin me krisma, gurë e molotovë.
Një shprehje e vjetër thotë se revolucionet hanë bijtë e tyre. Ky yni rrezikon të hajë edhe mbështetësit e vet, duke i lënë pa zë e pa arsye për të dalë në shesh. Në vend që të prodhojë pakënaqësi ndaj qeverisë, prodhon nostalgji për normalitetin.
Dhe ja ku arritëm: në vend që të ktheheshin kundër Ramës, shumë prej atyre që e kishin braktisur politikisht, u detyruan ta shohin përsëri si alternativë ndaj këtij kaosi.
Ky revolucion i bëri Ramës një dhuratë që asnjë propagandist i tij nuk do t’ia kishte bërë dot. I riktheu simpatinë e të zhgënjyerve, duke i kujtuar se përballë keqqeverisjes mund të kishte edhe më keq: një opozitë që nuk di çfarë të bëjë me zemërimin e popullit, përveçse ta kthejë në gurë e molotovë.
Në fund, revolucionarët festuan fitoren mbi disa kosha plehrash, një semafor dhe pllakat e bulevardit. Një bilanc mbresëlënës për një revolucion që pretendonte të përmbyste qeverinë.
Rama mbajti karrigen, qytetarët humbën festën, ndërsa opozita fitoi një detyrë të re: të gjejë koshin e fundit.
Nuk e tregoj vendndodhjen. Le ta kërkojnë. Ndoshta në revolucionin e ardhshëm do të jetë objektivi kryesor. Mund të marrë edhe statusin e monumentit historik, me një pllakë përkujtimore: Këtu qëndroi koshi i fundit. Ra heroikisht në luftën për pushtetin.
Dhe një këshillë për revolucionarët: Mos e digjni menjëherë. Lëreni për herën tjetër. Revolucioni duhet të ketë gjithmonë një objektiv strategjik.
Se, siç duket, pushteti është ende larg, por koshat i kemi shumë pranë.
Shënim: Ky shkrim është ekskluziv për Top-channel.tv
Top Channel