Me rastin e 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, dy prej ndërtesave simbol të Dubait dhe Dohas janë ndriçuar me ngjyrat e flamurit kombëtar shqiptar.

Burj Khalifa në Dubai, ndërtesa më e lartë në botë, dhe kulla Aspire Tower në Doha të Katarit janë veshur me ngjyrën e kuqe dhe shqiponjën e zezë dykrenare, në nder të festës së 28 Nëntorit.

Pamjet janë publikuar në rrjetet sociale nga kryeministri Edi Rama, i cili ka falënderuar të dyja vendet për këtë gjest.

“Në Dubai, miqtë e Emirateve të Bashkuara Arabe nderojnë ditën e Flamurit Kombëtar të Shqipërisë. Faleminderit dhe respekt”, shkruan Rama.

Një mesazh të ngjashëm mirënjohjeje, kryeministri ka përcjellë edhe për Katarin, duke publikuar pamjet e kullës së ndriçuar kuqezi në Doha.

“Edhe në Doha, miqtë e Katarit nderojnë ditën e Flamurit Kombëtar të Shqipërisë. Faleminderit dhe respekt”, shkruan Rama në postimin e tij të dytë.

 

Top Channel