Reshjet e dëborës që kanë përfshirë verilindjen e vendit gjatë orëve të fundit kanë vështirësuar qarkullimin e automjeteve në Rrugën e Kombit.
Vështirësi në qarkullimin e automjeteve janë hasur edhe në hyrje të tunelit të Kalimashit, për shkak të reshjeve të dëborës.
Siç shihet edhe në pamjet, disa automjete kanë ndaluar anës rrugës, pasi për shkak të gjendjes së asfaltit të mbuluar nga dëbora nuk kanë mundur të vijojnë udhëtimin.
Në aksin rrugor shihen edhe karrotrecë për t’u ardhur në ndihmë drejtuesve të automjeteve që kanë mbetur në rrugë, ndërsa borëpastrueset vijojnë punën për largimin e dëborës.
Reshjet vijojnë me intensitet, duke vështirësuar edhe fushëpamjen e drejtuesve të automjeteve.
Ndërkohë, në këtë segment të Rrugës së Kombit kanë mbërritur disa borëpastruese, të cilat kanë nisur punën për largimin e dëborës dhe lehtësimin e qarkullimit të automjeteve.
Reshjet kanë përfshirë edhe qytetin e Kukësit, ndërsa në zonat e larta malore trashësia e dëborës në qafat e maleve ka kaluar 10 centimetra.
Drejtuesit e automjeteve që udhëtojnë në akset Kukës–Shishtavec, Bushtricë, Qafë Mali, Krumë–Kam–Tropojë, Bajram Curri–Valbonë dhe Qafë Morinë këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar dhe të përdorin goma dimërore.
Për shkak të vijimit të reshjeve të dëborës, drejtuesit e automjeteve duhet të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes.
Top Channel