Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka zbritur në terren, në zonën e Zogut të Zi, për të inspektuar dëmet e shkaktuara nga protestuesit në bizneset në zonë.
Në një video të postuar në rrjetet sociale ajo shprehet se nuk janë studentë ata që shkatërrojnë, por dora e opozitës, që sipas saj e ndihmuar nga forca të jashtme që nuk e duan Shqipërinë në BE, po shkaktojnë këtë situatë.
“Kam ardhur tek ‘’Zogu i Zi’’ për të dokumentuar dhe për të parë nga afër dëmin që i është bërë bizneseve nga protestat. Nuk janë studentë ata që duan të shkatërrojnë qytetin.
Nuk janë studentë ata që duan që mundi dhe djersa i prindërve, të shokëve dhe shoqeve të tyre të dëmtohet dhe të shkatërrohet.
Është e njëjta dorë që ka dashur që Shqipërinë ta lenë mbrapa. Është e njëjta dorë që ka shkatërruar shumë herë vendet, por kësaj radhe ndryshe nga herët e tjera, me ndihma të huaja të cilat nuk duan që Shqipërinë ta fusin në Bashkimin Europian.
Nuk duan që Shqipëria të përparojë. Unë i bëj thirrje të gjithë bizneseve të dokumentojnë dëmin që i është bërë me qëllim që Ministria e Ekonomisë, por edhe organet e drejtësisë të bëjnë detyrën e tyre dhe të adresojnë të gjithë atë dëm që i është bërë bizneseve nga një dorë e pabesë e cila do ta shohë Shqipërinë të shkatërruar”, shprehet ajo.
Top Channel