Bashkëshortja e Sokol Olldashit, pedagoge e Fakultetit të Drejtësisë, Enkelejda Olldashi e cila së bashku me disa pedagogë të tjerë iu bashkuan protestës në mbështetje të studentëve, ka folur sot në lidhje të drejtpërdrejtë në ‘Shqipëria Live’.
E pyetur se si do reagonte Sokol Olldashi në situatën e sotme ajo shprehu se shumë gjëra do të ishin ndryshe nëse ai do të ishte sot në PD.
Para se Olldashi të humbte tragjikisht jetën në një aksident automobilistik më 20 nëntor 2013, ai ishte deputet i Partisë Demokratike në Kuvend, i zgjedhur në Qarkun e Fierit.
Në PD ishte anëtar i Kryesisë dhe i Këshillit Kombëtar dhe vetëm pak muaj më parë, në korrik 2013, kishte kandiduar për kryetar të PD-së përballë Lulzim Bashës.
Postin e ministrit të Punëve Publike dhe Transportit e kishte lënë në shtator 2013, pas ndryshimit të qeverisë.
Pyetja e gazetares: Si mendoni se do të reagonte reagonte në këtë situatë?
Enkelejda Olldashi: Shumë gjëra mund të ishin ndryshe te forca politike ku ai (Sokol Olldashi) ishte pjesë.
Nuk është përgjegjësi vetëm e kësaj qeverie, por e gjithë establishmentit që nga ’91 deri tani.
Kjo është e të gjithë zullumeve të të gjitha qeveritarëve, ndaj dhe ky brez i ri është kundër të gjithë kastës së vjetër politike.
Dhe ndoshta kjo revoltë, që ne jemi patjetër kundër shkatërrimit, por është një revoltë e akumuluar që veshët e të gjithë politikanëve të të gjitha ngjyrave duhet ta dëgjojnë.
Bojkoti është një sjellje vullnetare e studentëve dhe askush nga pedagogët nuk e stimulon atë, por ne e respektojmë.
Kur studentët nuk janë në auditor, ne duhet të jemi aty ku janë studentët dhe ne jemi aty
Top Channel