Kriza te Vllaznia nuk mbyllet me shkarkimin e Edi Martinit nga drejtimi i skuadrës. Përkundrazi, pas humbjes 0-2 ndaj Teutës, situata mes trajnerit dhe drejtuesve të klubit ka hyrë në një fazë të tensionuar, ku tashmë në qendër është edhe çështja financiare e ndërprerjes së marrëveshjes.

Burime konfidenciale bëjnë me dije për gazetarin Endi Tufa të Top Channel, se drejtuesit e Vllaznisë i kanë kërkuar Martinit ndërprerjen e bashkëpunimit, por trajneri nuk e ka pranuar largimin pa një zgjidhje financiare për kontratën.

Sipas të njëjtave burime, në tavolinë është një faturë që shkon deri në rreth 100 mijë euro, shumë që lidhet me prishjen e parakohshme të marrëveshjes mes palëve. Kjo është arsyeja kryesore që situata nuk është mbyllur ende dhe që largimi i Martinit nuk po shoqërohet menjëherë me zyrtarizimin e një trajneri të ri.

Martini u emërua trajner i Vllaznisë më 1 korrik 2025, duke nisur një eksperiencë që në sezonin e parë rezultoi me një kampionat të rregullt shumë konkurrues. Shkodranët e mbyllën sezonin 2025/26 me 60 pikë në 35 javë, pas 17 fitoreve, 9 barazimeve dhe 9 humbjeve, ndërsa më pas morën pjesë në Final Four të kampionatit. Në Kupën e Shqipërisë, Vllaznia nën drejtimin e Martinit regjistroi 3 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje, ndërsa në Conference League fitoi dy ndeshje dhe humbi dy të tjera.

Por starti i sezonit të ri ka qenë krejt ndryshe. Në pesë javët e para të kampionatit, Vllaznia nuk ka marrë asnjë fitore. Ka regjistruar 2 barazime dhe 3 humbje, duke grumbulluar vetëm 2 pikë. Humbja e fundit, 0-2 në “Loro Boriçi” ndaj Teutës më 18 shtator, rezultoi edhe ndeshja e fundit e Martinit në stol. Por problemet nuk janë vetëm sportive. Skuadra shkodrane ka qenë prej tre ditësh pushim dhe rikthehet nesër në stërvitje, ndërsa një tjetër detaj ka tërhequr vëmendjen në Shkodër.

Në mbrëmjen e djeshme, në një aktivitet ku ishin të pranishëm veteranë të klubit dhe pjesëtarë të skuadrës aktuale, Edi Martini nuk ka qenë i pranishëm. Një mungesë që vjen në një moment kur marrëdhëniet mes trajnerit dhe drejtuesve janë të tensionuara dhe që shihet si një tjetër tregues i krisjes mes palëve. Ndërkohë, klubi ka nisur të mendojë edhe për pasuesin.

Zekirija Ramadani është një nga emrat e parë të diskutuar për stolin e Vllaznisë. Trajneri nga Shkupi ka drejtuar më herët Dritën e Kosovës dhe është një emër i njohur në futbollin rajonal. Edhe ky opsion, megjithatë, nuk është i thjeshtë për momentin, pasi situata kontraktuale dhe juridike e Ramadanit me ish-klubin e tij nuk është mbyllur plotësisht. Top Channel mëson se ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për gjetjen e një marrëveshjeje me Martinin dhe më pas për zyrtarizimin e trajnerit të ri.

Top Channel