Futbolli dhe energjia e fëmijëve pushtuan “Shtëpinë e Futbollit” në Tiranë, në një festival të dedikuar për të rinjtë në kuadër të Javës Europiane të Sportit, që zhvillohet nga data 21 deri më 30 shtator

Aktiviteti u organizua nga SHRFT në bashkëpunim me Federatën e Futbollit, duke sjellë së bashku vajza e djem të apasionuar pas futbollit.

Në festivalin e vajzave morën pjesë 68 futbolliste nga ekipet e kategorive U-13 dhe U-15 të Shoqatës Rajonale Tiranë. E pranishme në aktivitet ishte edhe anëtarja e Komitetit Ekzekutiv, Anila Basha, e cila mbajti fjalën e hapjes, duke përcjellë mesazhin e rëndësisë së përfshirjes së fëmijëve në sport dhe krijimit të sa më shumë mundësive për të luajtur e për të zhvilluar pasionin e tyre për futbollin.

Festivali vijoi edhe me djemtë, ku 68 futbollistë të vegjël nga ekipet e kategorive U-7 dhe U-9 të Shoqatës Rajonale Tiranë u bënë pjesë e një dite të mbushur me lojë, emocione dhe argëtim.

Përmes këtyre aktiviteteve, FSHF dhe SHRFT synojnë të përcjellin te brezi i ri vlerat e sportit dhe të inkurajojnë aktivitetin fizik, një stil jetese të shëndetshëm dhe mbi të gjitha dashurinë për futbollin, si për vajzat, ashtu edhe për djemtë.

Top Channel