Luftë në distancë për Topin e Artë, Mbappe i përgjigjet Yamalit: Ai është çmim individual, unë isha golashënuesi më i mirë

22/09/2026 11:15

Kylian Mbappé vijon garën për Topin e Artë dhe, në një intervistë për RFI, ka folur hapur për shanset e tij për të fituar trofeun prestigjioz individual.

Sulmuesi i Real Madridit theksoi se çmimi vlerëson para së gjithash performancën individuale të futbollistit, një deklaratë që vjen në një kohë kur ai është në garë edhe me yllin e Barcelonës, Lamine Yamal.

“Ata nuk do të shpallin një ekip në zarf. Ata do të shpallin një lojtar. Aftësia për të performuar individualisht dhe për të shkëlqyer është ajo që i impresionon njerëzit për një trofe si Topi i Artë”, deklaroi Mbappé.

Francezi mbështetet te statistikat e tij individuale për të argumentuar kandidaturën. Ai e mbylli sezonin si golashënuesi më i mirë i La Ligës me 25 gola dhe i Champions League me 15 gola. Ndërkohë, me 10 gola të tjerë këtë verë, ai arriti në kuotën e 22 golave në tre edicione të Kupës së Botës.

“Kam qenë golashënuesi më i mirë në të gjitha garat e mëdha dhe mendoj se ky mund të jetë një vit i mirë për mua, dhe ndihem mirë për këtë”, u shpreh sulmuesi.

Në garën për çmimin individual është edhe Lamine Yamal, i cili këtë sezon ka qenë një prej protagonistëve kryesorë të Barcelonës dhe kombëtares spanjolle. Krahas tij, në listën e pretendentëve përmenden edhe Ousmane Dembélé, Khvicha Kvaratskhelia dhe Rodri.

Për Mbappén, gara duket se do të përcaktohet nga mënyra se si do të vlerësohen paraqitjet individuale dhe jo vetëm trofetë e fituar nga skuadrat.

Sulmuesi francez foli gjithashtu për ndryshimin në stolin e kombëtares së Francës. Didier Deschamps është larguar pas një periudhe të gjatë në drejtim të “Les Bleus”, ndërsa Zinedine Zidane ka marrë drejtimin e skuadrës.

Mbappé vlerësoi punën e Deschamps, duke theksuar se ai “bëri histori” dhe e çoi Francën “aty ku meriton të jetë”.

“Tani është një kapitull i ri me një trajner të ri. Është fillimi. Do të duhet të gjejmë ritmin tonë, por do të testohemi menjëherë dhe do të duhet të fillojmë të fitojmë përsëri menjëherë sepse kjo është ajo që njerëzit presin nga ne”, tha Mbappé.

Zidane ka konfirmuar gjithashtu se Mbappé do të vazhdojë të mbajë shiritin e kapitenit të Francës, ndërsa përpara tij qëndron një tjetër sfidë: rikthimi i kombëtares franceze në majën e futbollit dhe, paralelisht, gara individuale për Topin e Artë.

Top Channel